Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, në punëtoritë e tij për programin që është duke i organizuar në qytete të ndryshme të Kosovës, ka pasur një diskutim shumë interesant edhe për muzikën Rok. Këtë diskutim nuk e ka pasur me këdo, por me Veli Sahitin, i cili prodhoi hite të pavdekshme me grupin e njohur të rokut “Trix”.
Ishte pikërisht muzika Rok që e bëri debatin shumë atraktiv ndërmjet tyre. Sahiti që ishte pjesë e punëtorisë së Hamzës, thekson se krahas Mitrovicës kishte edhe grupe të tjera të rokut në Kosovë, të cilat ishin aktive në vitet e 70-ta.
“Në vitin 73 apo 74 u mbajt për herë të parë Festivali ‘Rinia këndon’ në Prishtinë dhe në këtë festival, në sferën e Rokut përformuan vetëm tri grup shqiptare. Përveç ‘Trix’ ishte edhe grupi ‘MAK’, Haki Misini i ndjerë dhe një grup nga Prizreni. Ky ishte momenti i parë që u prezantuan grupet me vlera të këngës shqipe. Kemi kënduar shqip, kemi frymuar shqip”, dëgjohet duke thënë Sahiti i grupi “Trix”.
Dhe kjo ishte pikënisje për një debat interesant ndërmjet tij dhe Hamzës.
“A ia qëllova hiq apo ke ndonjë mendim tjetër z. Kryeministër?”, e pyet Veli Sahiti – Bedri Hamzën.
Përgjigjja e Hamzës ishte e menjëhershme.
“Është përgjigje e pritur. Unë e di që jeni tri grupet e para Rok. Që të njëjtën kohë keni kënduar, por realisht nganjëherë në opinion nuk prezantohet ashtu. Si rrymë, roku i ka qëndruar kohës”, dëshohet Hamza, duke folur për skenën e rokut në Mitrovicë dhe në Kosovë.
Veli Sahiti shton se i ka takuar një përiudhe të revolucionit të rokut, ku pjesë ishin edhe “Trix”, por edhe “MAK”.
“Mitrovica është vend i lulëzimit, jo vetëm të Rok, por edhe Jazzit”, dëgjohet duke thënë Sahiti.
Këtu reagon sërish Hamza, i cili tregon për aktivitetet kulturore në Mitrovicë, duke theksuar se kultura do të zë një vend të veçantë edhe në programin e tij për të qeverisur me Kosovën.
“Ne e kemi bërë tradicional festivalin e Jazzit në Mitrovicë”, thotë Hamza.
Hamza dhe Sahiti në fund janë dakorduar që në vitin e ardhshëm ta ndjekin së bashku Festivalin e Jazzit në Mitrovicë.