Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka dhuruar një tjetër performancë mbresëlënëse këtë fundjavë, duke ngjitur skenën e festivalit të njohur “Intencity” në qytetin Craiova të Rumanisë.
E veshur me stil dhe plot vetëbesim, 35-vjeçarja shkëlqeu para mijëra fansave rumunë, të cilët e pritën me entuziazëm dhe kënduan së bashku hitet e saj ndërkombëtare. Me energjinë karakteristike, Rexha krijoi një atmosferë elektrizuese, duke dëshmuar edhe një herë pse mbetet një nga emrat më të kërkuar të muzikës pop në skenën ndërkombëtare.
Por vëmendjen këtë herë nuk e mori vetëm performanca në skenë. Në një video të publikuar në InstaStory, Bebe ndau momente festive nga prapaskenat e festivalit, ku shihej duke festuar së bashku me ekipin e saj.
Tre anëtarë të stafit të saj kishin ditëlindjen, dhe Rexha nuk nguroi të bashkohej me ta në një atmosferë argëtuese. Në një nga videot, ajo shihet duke bërë ‘twerk’, duke marrë sërish gjithë vëmendjen me lëvizjet e saj spontane dhe plot energji.
Pas suksesit në Rumani, Bebe Rexha pritet të vazhdojë turneun e saj veror në disa prej festivaleve më të njohura në Evropë. Gjatë kësaj vere, ajo do të performojë edhe në Zvicër dhe Gjermani, ku fansat evropianë mezi presin të shohin nga afër një nga zërat më të fuqishëm dhe autentik të skenës muzikore moderne.

Me praninë e saj karizmatike dhe interpretimet e fuqishme, Bebe Rexha po dëshmon se është një artiste që vazhdon të thyejë kufijtë dhe të ngrejë lart emrin shqiptar në muzikën botërore.
