Takimi i fundit ndërmjet Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviçit, kryenegociatorët e dialogut Kosovë-Serbi u mbajt më 11 shtator në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Peter Sørensen.
Raundi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve përfundoi pa përparim, palët mbetën larg dakordësisë rreth çështjeve kyçe.
Se a pritët të ketë ndonjë takim të radhës pas një ngërçi politik edhe në Kosovë me mos formimin e Qeverisë dhe me zgjedhjet e 28 dhjetorit, “Front Online” ka dërguar pyetje tek Bashkimi Evropian.
Nga Bashkimi Evropian është bërë e ditur se një takim i nivelit të lartë të Dialogut do të thërritet.
“Sa i përket Dialogut Beograd–Prishtinë, PSBE/ZNK Kallas do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të Dialogut sapo situata ta lejojë”, thuhet në përgjigjen e BE-së për “Front Online”.
Ish-kryenegociator të dialogut e ish-ambasador kanë paralajmëruar se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i bllokuar deri në formimin e qeverisë së re, pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë presin krijimin e institucioneve legjitime për të rifilluar bisedimet.
Deri atëherë, nuk pritet asnjë lëvizje konkrete në drejtim të dialogut.
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj është deklaruar lidhur me mungesën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për, siç thotë ai “kapitullim dhe degradim të diplomacisë kosovare”.
“Gjate mandatit të regjimit Kurti-Osmani, diplomacia dhe politika e jashtme e Kosovës ishte e kapitulluar dhe e denigruar si kurrë më parë. Kosova veç se është nën izolim dhe nën sanksione të BE dhe SHBA, nuk ka qasje në institucionet kredibile të Uashingtonit, Brukseli”, tha ai.
Sipas Dedajt, Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdoj bisedime me lidership arrogant e mashtrues.
“Me një lidership të tille arrogant, mashtrues dhe anarkist, BE nuk mund të vazhdoj bisedime shterpe dhe të kota me ish regjimin Kuri-Osmani dhe përfaqësuesit e Serbisë, të cilët poashtu janë bllokues dhe përjashtues në raport me Kosovën”, deklaroi Dedaj.
Dedaj tha se pret që zgjedhjet e 28 dhjetorit të sjellin fitore për opozitën, çka sipas tij do të hapte rrugën për riparimin e partneritetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
“Duhet të pritet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partitë ish opozitare PDK, LDK,AAK, do të arrijnë fitore historike dhe të rifilloj riparimi i partneritetit me SHBA,BE, NATO-n dhe partnerët e Kosovës, duke përfshirë edhe stabilizimin e raporteve me Serbinë fqinje dhe vendet e rajonit”, u shpreh Dedaj për “Front Online”.
Avni Arifi, ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë tha se procesi i dialogut nuk do të lëvizë përpara deri në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Arifi paralajmëroi se menjëherë në javën e parë pas konstituimit të ekzekutivit të ri, pritet të rifillojë procesi i bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.
“Deri në krijim të institucioneve as nuk ka, as nuk do të ketë diçka. Javën e parë që krijohet Qeveria e re do të fillojë procesi i dialogut. Ka plot që mendojnë se duke zvarritur krijimin e institucioneve u ikim disa obligimeve, por në fakt janë duke na u trashur ato obligime”, shprehet Arifi.






