Komisioni Evropian ka miratuar një program pune në vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, me qëllim forcimin dhe modernizimin e industrisë së mbrojtjes në Evropë, si dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në këtë sektor strategjik.
Sipas njoftimit zyrtar, fondet do të përdoren për avancimin teknologjik dhe rritjen e qëndrueshmërisë së industrisë së mbrojtjes, në një kohë kur sfidat e sigurisë në kontinent janë në rritje.
Mbi 700 milionë euro nga kjo shumë do të dedikohen për rritjen e prodhimit të komponentëve dhe pajisjeve kyçe, përfshirë sistemet kundër dronëve, raketat dhe municionet. Një pjesë e fondeve do të mbështesë gjithashtu bashkëpunimin industrial me Ukrainën dhe rindërtimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Programi është pjesë e Programit Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP) dhe pritet të nisë zbatimin më 31 mars, me thirrjet e para për aplikim që do të publikohen në portalin zyrtar të BE-së.






