Bashkimi Evropian tha se ka ndalur procesin e pranimit të Gjeorgjisë dhe ka ngrirë 30 milionë euro ndihmë për Ministrinë gjeorgjiane të Mbrojtjes, pasi ligjvënësit e këtij shteti miratuan një ligj që është parë si masë për të shtypur disidencën.
Ambasadori i BE-së në Gjeorgji, Pawel Herczynski, u tha gazetarëve në Tbilisi gjatë një ngjarjeje më 9 korrik se blloku po shqyrton masa të mëtejme nëse situata në Gjeorgji “përkeqësohet edhe më shumë”.
Herczynski tha se ky vendim është në përgjigje të Ligjit kundërthënës për “agjentët e huaj”, i njohur edhe si Ligji për transparencë të ndikimit të huaj, por edhe për shkak të hapave të fundit antidemokratikë që ka ndërmarrë Qeveria gjeorgjiane.
“Ligji për transparencë të ndikimit të huaj qartësisht është kthim prapa dhe retorika antiperëndimore, antievropiane është në kundërshtim me qëllimin e deklaruar të shtetit për t’iu bashkuar BE-së”, tha Herczynski, duke shtuar se vendimi për të ndaluar procesin e pranimit të Gjeorgjisë në BE është ndërmarrë më 27 qershor.
Herczynski tha se shpreson që Tbilisi do të rishqyrtojë disa prej vendimeve të tij të fundit, pasi Qeveria e re të formohet pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në tetor.
“Sinqerisht shpresoj që më 26 tetor, gjeorgjianët do të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe Qeveria e re, kushdo që do të fitojë zgjedhjet, do të rikthehet shpejt dhe do të rinisë puna e vështirë drejt pranimit të Gjeorgjisë në BE”, theksoi Herczynski.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e quajti vendimin e BE-së “përgjigje” ndaj “retorikës dhe veprimeve antievropiane dhe antiperëndimore” të Qeverisë që udhëhiqet nga partia Ëndrra Gjeorgjiane.
“Përderisa kjo është një përgjigje ndaj politikës të pamatur dhe armiqësore të partisë në pushtet ndaj BE-së, në të njëjtën kohë është një paralajmërim për publikun: partnerët tanë po na thonë se ‘zgjedhja është në duart tuaja’ ose Gjeorgjia do të ketë të ardhme evropiane ose do të izolohet në orbitën ruse”, tha Zurabishvili.
Më 28 maj, ligjvënësit nga partia Ëndrra Gjeorgjiane rrëzuan veton e Zurabishvilit, duke e shtyrë drejt miratimit Ligjin për “agjentët e huaj”.
I cilësuar si “ligji rus” nga protestuesit gjeorgjianë, për shkak të ngjashmërive me një ligj në Rusi që i ka mundësuar Kremlinit të burgosë, gjobisë dhe margjinalizojë disidencën, zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar të ketë “ndikim negativ në rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së”.
Edhe Uashingtoni ka njoftuar për ndalesa të udhëtimeve dhe “rishqyrtim” të raporteve dypalëshe, për shkak të ligjit.
Javën e kaluar, SHBA-ja po ashtu njoftoi se ka shtyrë mbajtjen e stërvitjeve të planifikuara me Gjeorgjinë, të cilat janë mbajtur që nga viti 2016. /REL/