Bashkimi Evropian ka reaguar pas arrestimit të presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ata kanë kërkuar qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët e përfshira dhe një zgjidhje paqësore të krizës.
“Bashkimi Evropian bën thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë akterët, për të shmangur përshkallëzimin dhe për të siguruar një zgjidhje paqësore të krizës”, thotë BE-ja.
“BE kujton se, në çdo rrethanë, duhet të respektohen parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kanë një përgjegjësi të veçantë për të mbrojtur këto parime, si një shtyllë e arkitekturës ndërkombëtare të sigurisë”.
“BE ka deklaruar disa herë se Nicolas Maduro nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ka mbështetur një tranzicion paqësor drejt demokracisë të udhëhequr nga vetë venezuelasit, duke respektuar sovranitetin e vendit. Duhet të respektohet e drejta e popullit venezuelas për të përcaktuar të ardhmen e vet”.
BE-ja tha se është në kontakt të ngushtë me ShBA-në dhe partnerët tjerë për lehtësimin e dialogut dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
Ata po ashtu përmendën respektimin e vullnetit të venezuelasve si mënyrën e vetme që demokracia të rivendoset në këtë shtet.
“BE ndan prioritetin për të luftuar krimin e organizuar transnacional dhe trafikimin e drogës, që përbëjnë një kërcënim të konsiderueshëm për sigurinë globale. Në të njëjtën kohë, BE thekson se këto sfida duhet të adresohen përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të integritetit territorial dhe sovranitetit”.
“Jemi në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si dhe me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë për të mbështetur dhe lehtësuar dialogun me të gjitha palët e përfshira, duke çuar drejt një zgjidhjeje të negociuar, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe paqësore të krizës, të udhëhequr nga venezuelasit”.
“Respektimi i vullnetit të popullit venezuelas mbetet e vetmja mënyrë që Venezuela të rivendosë demokracinë dhe të zgjidhë krizën aktuale”.






