8.1 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

BE godet Serbinë që shprehu rezerva për Marrëveshjen Bazë: Ajo është ligjërisht obliguese, në tërësi

- Advertisement -

Një dokument i hartuar nga Serbia, përmes së cilit ajo është shprehur se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, dhe aneksin e zbatimit të saj, ka shkaktuar shqetësim në qarqet diplomatike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Por, BE-ja, në reagim ndaj pyetjeve të mediave, është shprehur se Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër.

Këtë e ka thënë të premten zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

“Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht obliguese, në tërësi, për të dyja palët: Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë Stano.

Sipas tij, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së [Josep Borrell], më 18 mars 2023”.

“Ky ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i BE-së, i cili ka qenë i komunikuar publikisht në disa raste”, ka thënë Stano.

Burimet e BE-së kanë sqaruar se vlerësimet për natyrën obliguese të marrëveshjes janë në përputhje me nenin 11 të Konventës së Vjenës për ligjin rreth traktateve, i cili thotë se “pajtimi i një shteti që të obligohet me një marrëveshje mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë marrëveshje, ratifikim, pranim, miratim apo me çfarëdo mjeti tjetër, nëse ashtu pajtohen”.

Të njëjtat burime kanë thënë se palëve në Ohër u ishte sqaruar hollësisht kjo mënyrë e dhënies së pëlqimit, dhe të dyja palët janë pajtuan dhe nuk kanë kundërshtuar, në praninë e përfaqësuesit të lartë, Borrell, dhe të dërguarit për dialog, Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se kishin propozuar disa rrugë tjera për të shprehur pëlqimin e palëve për marrëveshje, por ato ishin refuzuar dhe vazhdojnë të refuzohen nga të dyja palët.

Në qëndrimin e Serbisë, përmes së cilës Beogradi ka shprehur rezerva për Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, që e ka parë Radio Evropa e lirë, thuhet se ajo, “në përgjithësi, me rezerva, përshtatet me Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor” si një deklarate politike dhe dokument jo obligues ligjor.

Më tej, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç u referohen në këtë deklaratë, konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në pozicionin e Serbisë.

“Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturin integritet territorial të Kosovës”, thuhet më tej në letrën e Serbisë, ku deklarata konsiderohet si ligjërisht joobliguese, dhe se nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare.

Serbia është shprehur, po ashtu, se “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksit të saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare, dhe respektimi i integritetit territorial të saj.

Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit