Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për të shkarkuar nga detyra ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Në një deklaratë zyrtare, Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për këtë vendim, duke theksuar se ai pengon reformat e domosdoshme në sistemin e drejtësisë.
“Vendimi gjithashtu minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, siç e citoi RTV21.
Sipas Zyrës së Bashkimit Evropian, ky vendim “shpërfill edhe parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimin ndaj qytetarëve”, duke vënë në pikëpyetje reformën e vazhdueshme dhe të domosdoshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendimin për shkarkimin e Kelmendit gjatë mbledhjes së sotme, me pesë vota në favor. Në vendin e tij është emëruar prokurori Agron Qalaj si ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Shkarimi i Kelmendit erdhi vetëm një ditë pasi ai u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar në lidhje me rastin e masakrës së Reçakut, çka ka ngjallur diskutime për kohëzgjatjen dhe motivet e këtij vendimi.
Zyra e BE-së thekson se ky zhvillim cenon reformat thelbësore në fushën e drejtësisë, të cilat janë një nga kushtet kryesore për integrimin evropian të Kosovës.






