BDI pas protestës: Politikë e organizuar për dobësimin e gjuhës shqipe në institucione

- Advertisement -

Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup me kërkesën që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Osmani akuzoi për një politikë të qëllimshme dhe të organizuar për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Ai në rrjete sociale risolli në vëmendje procesin e miratimit të Ligjit për Gjuhët, të cilin e cilësoi si të shoqëruar me tensione të mëdha politike.

Ai shtoi se deputetët e VMRO-DPMNE kishin tentuar fizikisht të pengonin votimin në Parlament, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov, sipas tij, kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin, duke detyruar rikthimin e tij për rivotim.

“E njëjta parti kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut gjatë kohës kur ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, siç thotë ai, ka ndikuar në këtë institucion për ta mbyllur çështjen”, tha Osmani.

Ai ka kritikuar ndërhyrjen institucionale që dobësojnë zbatimin e ligjit dhe ka përmendur heqjen e pavarësisë së Inspektoratit dhe reduktimin e rolit të Agjencisë për Gjuhët.

Osmani akuzoi gjithashtu për ndryshime në identitetin vizual të institucioneve dhe për largimin gradual të gjuhës shqipe nga dokumentet zyrtare, tabelat dhe përdorimi institucional.

Njëherësh, paralajmëroi për përgatitjen e një narrative që synon ndryshimin e dispozitave kyçe të ligjit, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një politike të planifikuar. /Klankosova.tv

Të ngjashme

Të fundit