BDI i është përgjigjur Izet Mexhiti, icili sonte deklaroi se ish-partia e tij i ka ofruar që të kthehet tek ta, me qëllim që siç tha, ta prish koalicionin VLEN.
Nga BDI thonë se Izet Mexhiti nuk u largua nga partia e tyre për parime, por për interesa.
“BDI nuk është strehë për servilët, agjentët e nëntokës dhe bukëshkalët. BDI ka lindur nga gjaku i UÇK-së dhe është ndërtuar mbi vlerat e sakrificës, përkushtimit dhe përfaqësimit të denjë të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Këto vlera nuk mund të përlyhen nga ish-funksionarë të cilët, për më shumë se 20 vite, përfituan nga emri dhe autoriteti i Ali Ahmetit, vetëm për ta përdorur këtë trashëgimi për ngritjen e klaneve familjare dhe lidhjeve të errëta nën tokë”.
“Izet Mexhiti nuk u largua nga BDI për parime, por për interesa. Ai nuk e kaloi vetingun për korrupsionin dhe devijimet ideologjike që kërkonin pastrim të brendshëm – sepse ai ishte i kapur nga to. Dhe sot, në vend që të kërkojë falje për dëmin që i shkaktoi strukturës dhe besimit të anëtarësisë, krenohet që është bërë shërbëtor i projektit më antishqiptar në historinë e vendit tonë – një qeveri që fyen gjuhën, mohon barazinë dhe përjashton shqiptarët nga vendimmarrja”.
“Deklarata e tij se i është ofruar rikthimi në BDI sepse “Ali Ahmeti do të tërhiqet dhe ai do ta marrë partinë” është jo vetëm gënjeshtër e ulët, por edhe dëshmi e arrogancës së një njeriu që mendon se partia është plaçkë për pazare. BDI nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë strehë për klane, nepotizëm, korrupsion dhe shërbëtorë të projekteve antishqiptare. Vlerat e Izet Mexhitit nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë vlerat tona. BDI ecën përpara me popullin, me rininë, me idealin dhe me vizionin për një shtet të barabartë dhe dinjitoze për të gjithë”, thonë nga BDI.