-0.5 C
New York
Monday, February 10, 2025

Buy now

BBC dhe AP raportojnë për zgjedhjet në Kosovë: Kurti fiton, por s’e ka shumicën

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallë fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ndonëse exit poll-et sugjerojnë se ai nuk ka një shumicë, raporton BBC për zgjedhjet në Kosovë.

Partia qeverisëse e Kurtit, Vetëvendosje, fitoi rreth 40% të votave, krahasuar me 50% në vitin 2021, thonë projeksionet e exit poll.

Ai tha se ishte i sigurt se do të jetë në gjendje të formojë një qeveri, duke shtuar: “Ne jemi [fituesit] dhe ky është konfirmimi i një qeverie të mirë, të begatë dhe demokratike.”

Por, rezultatet zyrtare janë të paqarta, shkruan BBC, për shkak të dështimit të sistemit të numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje KQZ-së që “të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, duke u siguruar që çdo votë të numërohet drejt”.

BBC raportoi edhe për renditjen e partive të tjera për rezultatin zgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 21%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 20%, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka 6%.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht nuk po jep asnjë përditësim të numërimit, duke përmendur “probleme teknike”.

Kurti erdhi në pushtet në vitin 2021 kur një koalicion i drejtuar nga partia e tij siguroi një shumicë të vogël me mbi 50% të votave.

Para se të shpallej zyrtarisht ndonjë rezultat, Kurti tha: “Koalicioni ynë do të formojë qeverinë tonë të tretë. Do ta vazhdoj punën, fitoi populli, fitoi Vetëvendosje”.

BBC thotë se popullariteti i Kurtit është rritur nga përpjekjet për të zgjeruar kontrollin e qeverisë mbi pjesën veriore me shumicë etnike serbe.

Por kjo ka antagonizuar përkrahësit kryesorë të Kosovës – BE-në dhe SHBA-në. Partitë opozitare mbrojnë një qasje më pajtuese dhe kanë kritikuar Qeverinë për trajtimin e ekonomisë.

Po ashtu, për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë ka raportuar edhe Associated Press.

Rezultatet paraprake treguan se partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet parlamentare të Kosovës të dielën, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, shkruan AP, ndërsa theksoi edhe bisedimet e bllokuara për normalizimin e marrëdhënieve me rivalin Serbinë, si dhe shkruan se financimet e huaja për një nga vendet më të varfra të Europës janë në pikëpyetje.

Me 73% të votave të numëruara, partia e majtë e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi 41.99% që nuk i jep shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm, duke lënë të hapur mundësinë që tre pretendentët e tjerë të mund t’i bashkohen radhëve nëse ai nuk arrin të formojë një kabinet.

Sfiduesit e tjerë janë Partia Demokratike e Kosovës, ose PDK, udhëheqësit kryesorë të së cilës janë në një gjykatë penale ndërkombëtare në Hagë të akuzuar për krime lufte, e cila fitoi 22.68% të votave.

Më pas me 17.9% është Lidhja Demokratike e Kosovës, ose LDK, partia më e vjetër në vend, e cila humbi një pjesë të madhe të mbështetjes pas vdekjes në vitin 2006 të liderit të saj, Ibrahim Rugova. Konkurrenti i tretë është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me 7.56%, shkruan AP.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit