Në vitet e 90-ta, fshati Cahan i Shqipërisë, ishte shndërruar në bazë kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu trajnoheshin qindra ushtarë të cilët më pas niseshin për Kosovë. Objekti që shërbeu si bazë e UÇK-së, është akoma në këtë fshat, ndërsa banorët thonë se u hetua hollësisht edhe nga Gjykata Speciale.
Arben Cahani sot jeton në objektin i cili gjatë luftës në Kosovë ishte baza kryesore e UÇK-së në Has.
Ai ishte njëri nga ata që priti dhe ndihmoi ushtarët, ishte edhe Arben Cahani nga ky fshat.
Ky e ka të freskët kujtimin kur oborri i këtij objekti, mbushej me ushtarë të UÇK-së.
“Vishin ushtarët këtu, u visheshin, u stërviteshin. Ka qenë Mujë Krasniqi,… Me mundësitë kemi vepru, jemi munduar t’i ndihmojmë sa më shumë. Iu ndihmonim me kafshë, me armatim. Iu tregojshim rrugën, kur plagosej a vrahej najkush, shkonim t’i tërhiqnim”, tregon Cahani, për Tëvë1
Ndërkohë, shenjat se këtu dikur kishte prezencë ushtarake, janë akoma.
Por, edhe brendësia e këtij objekti, nuk ka ndryshuar shumë.
Në mure ende figuron akronimi më i famshëm tek shqiptarët.
Edhe mjetet që përdoreshin për ushtrime fizike.
E së fundmi në këtë fshat, erdhën edhe disa mysafirë të paftuar.
Arben Cahani thotë se objekti ku tani banon, u bë cak i hetimeve të detajuara nga Dhomat e Specializuara.
“Thonin së këtu kanë qenë burgjet e UÇK-së, po kjo nuk është e vërtetë. Ata e kontrolluan komplet shtëpinë, dhomat. I kanë mat sa metra është dera, dritarja, dhomat”, ka treguar ai.
E kohën kur në këtë fshat trajnoheshin ushtarët e UÇK-së, e mban në mend edhe Hamit Cahani.
“Komandantët nuk tregojshin se kush është komandantë e kush është ushtarë. Veç me ushtrinë, edhe s’kallxojshin tjetër”, kujton Cahani.
Në këtë fshat, në vitet e 90-ta, ishte edhe komandanti legjendar, Adem Jashari.
Ndërsa pas një qëndrimi dy mujor, nga këtu u nis Brigada 113 e Mujë Krasniqit, që më pas ranë një pritë të forcave serbe në Gorozhup të Pashtrikut.