![Bayern Munich triumfon ndaj Werder Bremen, titulli kampion shumë afër Bayern Munich triumfon ndaj Werder Bremen, titulli kampion shumë afër](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/05/Screenshot_20230506_204923_Chrome.jpg)
Bayern Munich me dy gola në pjesën e dytë ka arritur fitoren ndaj Werder Bremen. Tani titulli kampion është vetëm çështje kohe, me tri ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar.
Një gabim i Borussia Dortmund javën e kaluar, bëri që baverezët të marrin primatin sërish në Bundesliga dhe tani titulli kampion varet krejtësisht prej tyre, pasi kanë katër pikë më shumë se vendi i dytë, ndonëse verdhezinjtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sa i përket ndeshjes, skuadra e Thomas Tuchel u tregua shumë më e mirë, duke pasur më shumë nga loja, por që golat e fitores erdhën shumë vonë, pasi në pjesën e parë nuk kishte asnjë gol të shënuar.
Zhvillohej minuta e 62-të kur Gnabry shënoi për 1:0, i asistuar nga talenti gjerman, Jamal Musiala.
10 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 72-të rezultatin e dyfishoi për 2:0 Leroy Sane, me një gol të bukur, që më pas u përcoll nga një përshëndetje me Sadio Manen, lojtar me të cilin pak javë më parë patën tensione, që çuan deri në përleshje me grushte.
Werder Bremen krejt çfarë arriti të bënte në këtë ndeshje ishte goli ngushëllues, kur Schmidt shënoi në minutën e 87-të për 2:1.
Bayern Munich pas 31 ndeshjeve kryeson në renditje me 65 pikë, e përcjellur nga Borussia Dortmund me 61 pikë, ndërsa Bremen me këtë humbje rrezikon vendin e 12-të.