Harry Kane vazhdon të jetë një pikë kyçe në makinerinë e Bayern Munich, ndërsa drejtuesit e klubit bavarez po përgatiten t’i ofrojnë një zgjatje kontrate sulmuesit anglez, mes interesimit në rritje nga klubet e mëdha evropiane.
Kane, i transferuar nga Tottenham Hotspur në vitin 2023, ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2027, por klubi gjerman dëshiron ta blindojë më herët të ardhmen e kapitenit të Anglisë.
Sipas raportimeve, bisedimet për rinovimin pritet të nisin në shkurt, ndërsa synimi kryesor është që marrëveshja të finalizohet para Kupës së Botës.
32-vjeçari po kalon një tjetër sezon mbresëlënës me fanellën e Bayernit. Deri në ndeshjen e fundit ndaj Union Saint-Gilloise, Kane ka realizuar 36 gola nga 105 të shënuar gjithsej nga skuadra këtë sezon, duke kontribuar drejtpërdrejt në rreth një të tretën e golave të ekipit.
Përtej statistikave, Kane ka qenë vendimtar edhe në fazën e ndërtimit të lojës dhe në aspektin defensiv, duke u shndërruar në një lider të padiskutueshëm në fushë.
Në negociatat për kontratën e re pritet të përfshihet drejtpërdrejt edhe CEO i Bayern Munich, Jan-Christian Dreesen, i cili ishte një nga figurat kryesore në transferimin e Kane nga Tottenham në verën e vitit 2023.
Bayern Munich synon ta mbajë Kane si boshtin e projektit afatgjatë dhe një rinovim i shpejtë do t’i jepte stabilitet klubit në prag të sfidave të mëdha që vijnë në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.






