Gazetari Baton Haxhiu s’la gjë të zezë pa shkruar për ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke dhënë një kronologji të veprimtarisë së tij diplomatike që nga të nëntëdhjetat e deri më sot, të cilës veprimtare i jep kualifikime prej më të rëndave.
“Ajo që mbetet nga roli i tij është një histori diplomacie të paqartë, gënjeshtra të hijshme dhe kompromise të gabuara dhe arrogancë që ka lënë pasoja të thella në rajone të brishta të botës”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu i referohet një letreje të hapur të opozitarit serb, Dragan Gjillas, i cili kohëve të fundit hodhi akuza të mëdha ndaj Hillit.
Postimi i plotë :
Në tetor të vitit 1998, ndërsa Kosova gjendej në prag të një lufte të hapur, Christopher Hill, si përfaqësues i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, atëherë Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni erdhi me mision në Kosovë duke eliminuar vëllain e tij Nik Hill që për tre vite ishte në ndërmjetësim në Kosovë.
Ai i sapo ardhur në këtë mision të tij i ofroi shqiptarëve një draft autonomie brenda Serbisë.
Një dokument i tillë, që injoronte përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, u pa si një nga ofendimet më të mëdha që mund t’u bëhej aspiratave të tyre.
E kisha përjetuar personalisht kur ai ofendoi gazetën Koha Ditore”, që atëherë publikoi këtë draft, duke nxjerrë në pah përmbajtjen e tij të dëmshme për çështjen kombëtare të Kosovës dhe rrethanat ku gjendej vendi.
Reagimi i Hill ishte i ashpër dhe i pamatur: ai e quajti gazetën një “shit newspaper”, një fyerje që pasqyroi qartë arrogancën dhe stilin e tij cinik të komunikimit duke urdhëruar që te gjenden fondet dhe të krijohej një gazetë tjetër. Koha tregoi se ne në “Koha…”kishim drejtë dhe jo Chris Hill.
Por ky nuk ishte fundi i përplasjes së tij me aktorët politikë dhe mediat në Kosovë.
Hill kishte një armiqësi të hapur me James Rubin, zëdhënësin e fuqishëm të Madeleine Albright, që u shfaq hapur gjatë negociatave të Rambouillet-it.
Por shumë më vonë në një takim të mbyllur me diplomatët amerikanë në Ballkan, i cili u mbajt në Tiranë, Hill, me një cinizëm të paprecedentë nuk kishte harruar humbjen e tij dhe projektit të tij në Rambouillet iu drejtua diplomatëve tjerë dhe tha: “Shikoni, unë dhe Rubin kemi qenë së bashku në Rmabouillet por që ta dini që kemi qenë kundërshtar; Unë kam qenë përfaqësues i qeverisë amerikane, ndërsa Rubin ka qenë përfaqësues i UÇK-së.”
Përgjigjja e Rubin ishte po aq goditëse: “Po, është e vërtetë, kolegë, dhe ne ishim fituesit.”
Ishte ky moment që tregoi qartë hendekun midis atyre që kishin zgjedhur të mbështesin të drejtën e shqiptarëve për liri dhe atyre që ende besonin te kompromisi me Millosheviçin.
Atëbotë Presidenti Obama, atëherë senator bashkë me Hillin ishin kundër bombardimeve.
Demilitarizimi i UÇK-së dhe përplasja me liderët shqiptarë
Në fund të vitit 1999, Hill mori pjesë në një takim me përfaqësuesit kryesorë të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe të tjerë. Ai u shfaq i ashpër dhe këmbëngulës për demilitarizimin e kësaj force, duke përdorur një gjuhë të papërshtatshme për një diplomat.
Në një moment të tensionuar, ai deklaroi: “I kemi goditur poshtë në bole që ta kuptojnë dhimbjen”.
Kjo qasje tregoi jo vetëm mungesën e respektit për palën shqiptare, por edhe një përpjekje të qartë për të çarmatosur dhe zbehur çdo përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e vendit. Edhe në këtë rast kundërshtia e Chris Hill nuk pati sukses sepse UÇK u shndërrua në TMK.
Një tjetër mision i dështuar: Hill në Irak
Pas përvojës së tij të diskutueshme në Ballkan, Hill mori detyrën e ambasadorit amerikan në Irak në vitin 2009.
Artikulli i “The New York Times”, i shkruar nga Anthony Shadid, përshkruan një tablo të errët të mandatit të tij në Irak.
Ai përmendet si një diplomat që dështoi të ndikonte në formimin e një qeverie të qëndrueshme në Irak, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme.
Procesi politik i vendit mbeti i bllokuar për muaj të tërë, ndërsa kritikat ndaj Hill u përqendruan në mungesën e përvojës së tij për t’u përballur me një rajon kaq kompleks si Lindja e Mesme.
Në Washington, disa diplomatë mendonin se ai nuk ishte njeriu i duhur për këtë rol, duke marrë parasysh historinë e tij të mëparshme në Ballkan dhe lidhjet e tij të ngushta me regjime autoritare si ai i Millosheviçit.
Dështimi për të ndërtuar një qeveri funksionale në Irak solli pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit dhe për imazhin e SHBA-ve si një ndërmjetësues i fuqishëm.
Hill dhe Serbia: Një histori e diplomacisë së gabuar
Misioni i tij i fundit diplomatik ishte në Serbi, ku Hill u përpoq të mbante vendin larg influencës ruse dhe ta afronte drejt rrugës euroatlantike.
Megjithatë, qasja e tij e njëanshme krijoi një precedent të rrezikshëm. Ai kërkoi falje për bombardimet e NATO-s mbi Serbinë dhe mbajti një qëndrim të hapur në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke ndërtuar marrëdhënie të forta me një regjim autoritar.
Në këtë kontekst, letra e opozitarit serb Dragan Gjilas ofron një analizë të ashpër mbi ndikimin e Hill në rajon.
Gjilas kritikon Hill për krijimin e një narrative të rreme për Vuçiçin si partner të Perëndimit, duke theksuar se politika e tij i ka dhënë legjitimitet një regjimi që ka zhvendosur Serbinë gjithnjë e më pranë autoritarizmit.
Duke parë lëvizjet e fundit diplomatike të Hill, duke qenë njeri me liri të plotë në vendime diplomatike në Serbi, dhe duke ngritur një narracion krejt personal të raporteve me Vuçiçin, rruga e tij ka ngritur pyetje të forta mbi rolin e diplomacisë amerikane në mbështetjen e regjimit aktual serb.
Ai me deklarata ka shprehur injorim të qëllimshëm të problemeve të brendshme politike dhe sociale, përfshirë korrupsionin dhe neglizhencën, dhe duke ofenduar Kosovën për secilin veprim. Ndërsa qytetarët në Serbi protestojnë për liri dhe drejtësi, ambasadori amerikan lavdëron drejtimin e vendit, duke shtuar shqetësimet për standardet e dyfishta të Perëndimit.
Në fund, Hill paralajmëron se përkrahja e Serbisë për integrimin evropian dhe rrugë eruroaylantike është në rritje për shkak të këtyre qëndrimeve, në të vertetë shumçka që Hill ka thënë publikisht po minojnë besimin në vlerat demokratike amerikane dhe evropiane.
Një trashëgimi e errët diplomatike
Christopher Hill mbetet një figurë kontroverse në historinë e diplomacisë amerikane. Nga propozimi i autonomisë së Kosovës brenda Serbisë, përplasjet me UÇK-në dhe liderët shqiptarë, dështimet në Irak dhe kompromiset e dyshimta në Serbi, ai ka ndërtuar një trashëgimi që shpesh përshkruhet si e dështuar.
Ajo që mbetet nga roli i tij është një histori diplomacie të paqartë, gënjeshtra të hijshme dhe kompromise të gabuara dhe arrogancë që ka lënë pasoja të thella në rajone të brishta të botës.