Mëngjesin e sotëm është bastisur banesa e ish-zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubit, i cili nuk është gjetur në shtëpi, raportojnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Ai vetë ka njoftuar në Facebook të dielën në mbrëmje se ndodhet në Kosovë.
Grubi bëri të ditur se ndodhet në një vizitë private, pasi dje në rrjetet sociale u raportua se ai është arratisur nga Maqedonia. Ai ka kërkuar nga publiku që të mos krijojë spekulime për udhëtimin e tij.
Në kuadër të një operacioni të madh të hënën, policia është në kërkim edhe të Përparim Bajramit, ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë. Por as ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe policia dyshon se edhe ai është arratisur në Kosovë.
Siç shkruajnë mediat në Maqedoni, të afërmit e tij i premtuan policisë se ai do të kthehej. Në shtëpinë e tij u gjetën mbi 50.000 franga.
Ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, nga opozita e atëhershme akuzohej se kishte marrë me qira një lokal për 21 mijë euro në muaj nga një kompani pronari i së cilës është anëtari i Bordit të Drejtorëve të Lotarisë, Shaban Hamza, me kontratë 10 vjeçare.
Artan Grubi, javën e kaluar u vendos në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bashkë me të, në Listën e Zezë u vendos edhe Enver Behxheti, gjykatës i Gjykatës së Apelit.
Grubi dhe Bexheti u futën në listën e zezë për përfshirje në korrupsion të madh, ndërhyrje politike dhe përpjekje për të diskredituar sistemin gjyqësor.
Ata akuzohen për marrje ryshfeti për të ndikuar në procese gjyqësore, përfshirë rastin penal të ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov, në lidhje me aferën “Target”, të hetuar nga Prokuroria Speciale Publike, që lidhej me përgjimin masiv.