Situatë jo e mirë në klubin e Juventus. Mesfushori Nocolo Fagioli po hetohet se ka qenë përdorues në platforma bastesh ilegale online ku vihen baste për çdo lloj sporti. Hetuesit ndërthurën të dhëna dhe transaksione, analizuan emrat dhe pseudonimet, si dhe identifikuan përdoruesit, përfshirë Fagiolin.
Në Itali bixhozi nuk është krim, por ta bësh këtë në platforma të paligjshme është. Fagioli po hetohet nëse në bastet që ka vënë janë përfshirë ndeshjet e Juventusit, për sfida zyrtare të organizuara nga Federata Italiane e futbollit.
Ndalim absolut ndaj basteve në çdo ngjarje futbolli, jo vetëm direkt por edhe indirekt dhe në kategori të tjera. Kallëzimi u përcoll edhe nga avokatët e lojtarit më 30 Gusht në Prokurorinë e Federatës së Futbollit. Pasi është hapur një dosje dhe janë marrë dokumentet e para, grupi i hetuesve po ndjek zhvillimin e çështjes.
Nëse vërtetohet se Fagioli ka vënë bast dënimi do të shkonte nga një pezullim ose përjashtim jo më pak se tre vjet, plus një gjobë që fillon nga 25 mijë euro.