Fitore shumë e thellë e Bashkimit në nismë të stinorit, duke arritur mbi 100 pikë të shënuara në ndeshje dhe afro 40 pikë dallim ndaj Vëllaznimit në xhiron e parë! Në ndeshjen ku Vëllaznimi llogaritej nikoqir, ndërsa u luajt në “Sezai Surroi”, Bashkimi fitoi ndeshjen, 69 – 106, me 37 pikë dallim.
Ekipi kuqezi i Gjakovës vetëm në çerek të parë arriti t’i bëj ballë prizrenasve, ndërsa kur portokallezinjtë ndezën motorët treguan se janë në nivel tjetër për të shkuar lehtë e shpejtë te fitorja e thellë.
Trajneri Igor Jovovic i dha rast secilit lojtar të Bashkimit të shijojë minuta, ndërsa asnnjë lojtar nuk luajti as 24 minuta në ndeshje. Më efikasi u tregua TJ Brickerstaff me 24 pikë, ndërsa DeQuan Lake dha 17 pikë e bëri 7 kërcime. 16 pikë shënoi Isaiah Cousins, ndërsa edhe dyshja shpresë e ekipit, Besim Bytyqi e Veton Gjeçaj u regjistruan te koshashënuesit, me 4 e 2 pikë për më pak se 3 minuta sa ishin në parket.
Te Vëllaznimi, duket se Jeronimo Sarin nuk ka ekip të denjë akoma, derisa Ziggy Reid dha 26 pikë, e Atik Koshi 22 të tjera, ndërsa skuadra kryesisht luajti me 7 lojtarë, dy prej të cilëve pa pikë.