Edhe këtë verë shumë bashkatdhetarë po i kalojnë pushimet në vendlindje. Në pikën kufitare të Vërmicës mes Kosovës e Shqipërisë, është shtuar numri i mërgimtarëve që vijnë nga vendet perëndimore për pushimet verore.
Ardhja nga vendet nordike tanimë është më e paktë, kurse ka fluks të shtuar të atyre që vijnë nga Zvicra dhe Gjermania. Vetëm ditën e shtunë, në këtë pikë kufitare, me polica të sigurimit janë pajisur 2100 automjete.
“Kapacitetet tona për këtë vit janë rritur, duke pas parasysh se vitin e kaluar kemi pas 20 mijë vetura me shumë se në vitin 2022, ndërsa tani po punojmë me kapacitete 7 + 1 në maksimum me tetë operator”, thotë Agron Berisha, koordinator i Byrosë Kosovare të Sigurimit në Vërmicë.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që edhe këtë vit, të bëjë subvencionimin e këtyre policave. Megjithatë, jo të gjithë janë të informuar.
“Nuk e di sa është e vërtetë kjo, nuk kam dëgjuar, veq e di që çdo vit duhet me bë sigurimin e për sivjet nuk e di”, u shpreh Ilir Berisha nga Rahoveci me banim në Zvicër. Por, pas kryerjes së procedurës ai theksoi: “Po, falas ishte”.
“E paguat sigurimin? Jo falas ishte. Keni qenë i njoftuar? Jo nuk kam qenë i njoftuar e kur më thanë se është falas u qudita”, thotë Arben Haziri nga Prishtina, gjithashtu me banim në Zvicër.
E të tjerët që tashmë e dinë që nuk do të paguajnë për këtë vit taksën e policës së sigurimit ndihen të respektuar.
“Për me marrë policën e sigurimit u vonova 1 minutë, për me pagu, nuk pagujta asgjë. Kemi qenë të informuar nga mediat se edhe kësaj radhe qeveria e Kosovës do të na e bëjë gratis. Me një fjalë, kjo nuk do të na ndihmon , por po na respekton neve, e kjo ka vlerë më shumë”, thotë Rustem Zogaj nga Malisheva, me banim në Zvicër.
Në pikën kufitare të Vërmicës, këtë vit ka shtim të kapaciteteve në punonjës dhe sportele për shërbim ndaj bashkatdhetarëve, ndërsa në sportele të veçanta, do të shërbehen gratë me fëmijë dhe personat me sëmundje kronike.
Qeveria e Kosovës ka ndarë nga buxheti, 3 milionë euro, për të mbuluar policat e sigurimit kufitar të bashkatdhetarëve që do të qëndrojnë në Kosovë mbi një muaj, ndërsa të tjerët që do të qëndrojnë deri në 15 ditë duhet të paguajnë vetë.