Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar një takim konsultativ e njoftues me presidenten Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Kuvendit, takimi u mbajt pas konstituimit të tij, ku Basha e informoi presidenten për përfundimin e seancës konstituive. Në këtë kuadër, të dy udhëheqësit institucionalë diskutuan për hapat e mëtejshëm që duhet ndërmarrë.
“Kryetari Basha dhe Presidentja Osmani kanë biseduar për domosdoshmërinë që proceset kushtetuese dhe ligjore të ecin me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja sa më e shpejtë e Qeverisë së re të vendit, si përgjegjësi e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
“Krerët e institucioneve e theksuan rëndësinë e funksionalitetit të institucioneve dhe të stabilitetit politik përballë sfidave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, duke nënvizuar se qytetarët e Republikës së Kosovës presin efikasitet dhe përgjegjësi nga udhëheqësit e tyre. Kryetari i Kuvendit, z. Dimal Basha, rikonfirmoi përkushtimin e tij që Kuvendi i Kosovës të ushtrojë rolin e vet të plotë kushtetues pas konstituimit, ndërsa Presidentja Osmani ritheksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e vendit në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.