Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dalë përsëri në mbështetje të SPAK duke thënë se po goditet politikisht prej një viti e gjysmë.
Ai theksoi se i kanë ndërprerë buxhetin dhe se nuk i japin personelin e duhur.
Ndër të tjera ai theksoi se ata deputetë që i thonë vetes deputetë të Partisë Demokratike, ngritën kartonat për të amnistuar drejtorët e korruptuar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës
“Kanë një vit e gjysëm që i fusin shkopinj nëpër rrota SPAK-ut, që i presin buxhetin, nuk i japin personelin e mjaftueshëm, kanë filluar ta godasin politikisht. I pari Edi Rama që i thotë BKH-së “kush je ti që vjen e kërkon te ne”, “sillu më mirë” – i thotë. Byrosë Kombëtare të Hetimit i thotë silluni më mirë me zyrat e shtetit. Pra ky që në fakt duhet të mbyll gojën para BKH-së, para SPAK-ut, sepse këta prandaj janë krijuar kundërkorrupsionit, ka filluar tani t’i kërcënojë, i quan “republikë prokurorësh”. Dhe papritur shohim palën tjetër, pazarxhinjtë e vërtetë në krah të Edi Ramës. Si? Fare e qartë. Dje të paktën 10 apo 15 nene të amnistisë përfitues janë zyrtarë të korruptuar për tendera, për korrupsion aktiv, për korrupsion zgjedhor. Janë aty, e zezë mbi të bardh. Pra, ata deputetë që i thonë vetes deputetë të Partisë Demokratike, ngritën kartonat për të amnistuar drejtorët e korruptuar të Edi Ramës. Ndërkohë që kanë lënë në ndjekje penale jo dhjetëra por qindra protestues demokratë të cilët nuk përfitojnë nga amnistia e djeshme. Sepse janë kthyer në aneks të partisë socialiste dhe të Edi Ramës”, tha Basha.