18 C
New York
Sunday, September 7, 2025

Buy now

Basha përkujton 7 shtatorin e 1990-ës, ditën kur u miratua Kushtetuta e Kosovës

- Advertisement -

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka përkujtuar 7 shtatorin e vitit 1990, ditën kur 35 vjet më parë në Kaçanik u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Basha ka vlerësuar se Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i gjallë i unitetit, përkushtimit dhe vendosmërisë sonë kolektive për liri, barazi dhe shtet të pavarur e sovran.

“Ky akt erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, kur Profesor Gazmend Zajmi me kolegët profesorë më eminentë të kohës si Kurtesh Saliu, Ejup Statovci, Ismet Salihu, Fatmir Fehmiu, Halit Muharremi e Riza Smaka, përgatitën në më pak se një muaj tekstin e plotë të Kushtetutës, që u bë gurthemel i Republikës së sotme. Përveç dijes së juristëve të shquar, edhe guximi qytetar ishte i pazëvendësueshëm. Familjet e Kaçanikut strehuan delegatët dhe organizimi u mbajt i fshehtë deri në detajin më të vogël, madje edhe me rrugë të tërheqjes të parapara. Mbledhja nisi në orën 20:00, u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës atëbotë, ndërsa Rezolutën e lexoi Halit Muharremi”, ka thënë në shënimin e tij Basha.

Kushtetuta e Kaçanikut, ka shtuar më tej kryekuvendari, e mbështetur në traditën liridashëse të kombit shqiptar, në parimet e demokracisë e barazisë dhe në të drejtën për vetëvendosje, shpalli qartë se territori i Kosovës është unik, i pandashëm e i patjetërsueshëm.

“Ky dokument i ktheu parullat e demonstratave të vitit 1981 ‘Kosova Republikë’ në realitet politik, duke i paraprirë referendumit të vitit 1991 dhe lëvizjes paqësore, që u përcoll me luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së dhe që u kurororëzua me Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Nderim i përhershëm për delegatët, profesorët hartues dhe mirënjohje për qytetarët që kontribuan në këtë ngjarje historike madhështore”, shtoi ai.

Të ngjashme

Të fundit