Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar se ka bërë kërkesë për tërheqjen e një kapitulli të punimit të tij të vitit 2012 nga një publikim më i gjerë, ku gabimisht ishte listuar si bashkë-autor.
“Dua t’ju informoj se me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkë-autor, unë kam bërë kërkesë tek Revista në fjalë që pjesa që kam kontribuar unë, pra Kapitulli 3, të hiqet tërësisht nga ai publikim”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ai ka shtuar se Komiteti i Publikimeve i revistës ka miratuar kërkesën, duke hequr jo vetëm Kapitullin 3, por edhe emrin e tij nga autorësia e gjithë publikimit, pasi sipas tij, nuk kishte autorësi në pjesën tjetër të materialit.
Punimi i vitit 2012 kishte titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, ku në një pjesë të tij thuhej se “fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Ky publikim kishte nxitur reagime të shumta në Kosovë.