Kryeredaktori i “TV Mir” nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq, ka deklaruar për N1 se qëllimi i vendosjes së barrikadave në Kosovë nuk janë tre qëllimet e parashtruara në publik nga përfaqësuesit e komunitetit serb por në të vërtetë është mbetja në pushtet e Listës Serbe në veri të Kosovës.
Ai thotë se barrikadat janë një mënyrë joinstitucionale që Lista Serbe të tregojë se është ende “fuqi supreme”. Ata i bindin naivët se ky është akt patriotik, se kjo është për shpëtimin e Serbisë, dhe ka njerëz të tillë që i besojnë. Ata po e bindin veten se kjo është e vërtetë, ka theksuar Radosavleviq, transmeton Paparaci.
Ai thotë se është i bindur se barrikadat nuk do të arrijnë asgjë, përveç se bllokojnë jetën e përditshme të serbëve në Kosovë, ndërsa autoritetet e Kosovës nuk i dëmtojnë.
“Kërkesat që janë kërkuar të plotësohen – nuk janë plotësuar dhe është e sigurt që as që do të realizohen. Cili është atëherë qëllimi që të vendosen barrikadat, të bllokojnë jetën e serbëve në veri? Tubimi nuk ishte as afër asaj që pritej. Nga mënyra se si ata kanë reaguar ndaj fjalimeve ishte e qartë se nuk kishte mbështetje të fortë nga të pranishmit. Ata ishin plotësisht të pa interesuar, gjegjësisht janë sjellë aty me dhunë”, zbulon Radosavleviq.
Ai ka shtuar se ndërkohë që nga futja e barrikadave njerëzit “thyejnë” veturat e tyre nëpër rrugë malore dhe nëpër rrugë alternative.
“Në një situatë të tillë të bllokadës së jetës në veri, në kthesën në drejtim të fshatit Ceranjë është vendosur postblloku i njësive speciale të policisë. Dhe kjo tregon se barrikadat nuk kanë asnjë kuptim, përveçse të ngadalësojnë ose ta bëjnë jetën të pamundur”, ka theksuar Radosavleviq, përcjell Paparaci.
Ai parashikon se Prishtina nuk do të dorëzohet dhe nuk do t’i lirojë serbët e arrestuar.
“Ka hyrë në procedurë policore dhe lëshimi do të ishte kolaps i Kurtit”, pretendon ai.
Ai beson se njerëzit në barrikada do të lodhen dhe kjo do të humbasë çdo kuptim, nëse diçka nuk ndodh para kësaj.
Radosavleviq thotë se vendimi i Aleksandar Vuçiq që t’i tërheqë të gjithë serbët nga institucionet e Kosovës është një veprim krejtësisht i gabuar.
“Kur e kuptuan se e tepruan me lojën e tyre dhe u larguan nga institucionet, dhe se pozicionet e tyre do të merren nga të tjerët dhe se do të humbasin gjithçka, ata po përpiqen të përdorin deklaratat e Vuçiqit për t’u rikthyer disi në një pozicion për të ruajtur pushtetin. Nga gjithçka që ndodh në Kosovë, e vetmja gjë që ka rëndësi për ta është pushteti i tyre absolut. Jetonin shumë bukur dhe gëzonin privilegje. Nuk do të heqin dorë lehtë”, ka theksuar Radosavleviq.
Ai ka vlerësuar se vendosja e barrikadave është një demonstrim joinstitucional para popullit se Lista Serbe është ende në pushtet.
“Gjithçka që ka në pronësi të ndërmarrjeve komunale në veri të Kosovës është vënë në shërbim të atyre njerëzve, sepse njerëzit e tyre i menaxhojnë kompanitë. Dhe mbi të gjitha qëndron sistemi, diktatura e krijuar nga Aleksandar Vuçiq, pra Beogradi”, ka deklaruar Radosavleviq për N1.