Në Kosovë ende mbetet shqetësuese se barnat e njëjta variojnë me çmime të ndryshme, nga barnatorja në barnatore. Për nivelim të çmimit të barnave, ishte premtuar edhe nga partia në pushtet, por që ende nuk është konkretizuar. E derisa kjo të rregullohet, qytetarët janë ata që pësojnë humbje.
Medikamentin e njëjtë mund ta gjeni me çmime të ndryshme në Kosovë, varësisht nga barnatorja se ku shkon qytetari.
Ministria e Shëndetësisë pret që ligji gjithsesi të zbatohet sivjet dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit konkret të ligjit për balancim të çmimeve të barnave në gjithë Kosovën.
Në projektligj, po ashtu, shpjegohet se çmimet e produkteve medicinale do të përcaktohen në bazë të metodologjisë së çmimeve të jashtme referente. Kjo nënkupton që do të merren për bazë çmimet e produktit të caktuar në një apo më shumë vende të tjera. Të ngarkuar për rregullimin e çmimeve do të jenë: Komisioni për Çmime të Produkteve Medicinale, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Oda e Farmacistëve, Fondi i Sigurimeve dhe anëtarë vëzhgues nga shoqëria civile.
Barnat në Kosovë blihen me çmime më të larta sesa çmimi real i tyre, gjë që nënkupton humbje të mëdha. Ketë e vërteton edhe shoqata e distributoreve farmaceutik.
Rregullimi i çmimit te barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë.