Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka kërkuar që autorët e sulmeve në Banjskë dhe Zveçan të dalin para drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Në një intervistë për emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ai foli për zhvillimet e fundit të sigurisë në veri, duke nënvizuar rëndësinë e hetimeve të plota dhe institucionale.
I pyetur nga gazetari Dibran Istrefi lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Zveçan, në vitin 2023 – gjatë të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku – si dhe për rolin e grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, Barduani deklaroi:
“Çfarë ka ndodhur në Zveçan dhe Banjskë ka qenë e papranueshme. Është e rëndësishme që ata që janë të përgjegjshëm të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë. Hetimet janë ende në zhvillim dhe kjo bie në përgjegjësi të autoriteteve të zbatimit të ligjit, pra Policisë së Kosovës.”
Duke komentuar edhe shpërthimin e ndodhur në nëntor 2024 në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, ku u raportua për një tjetër incident të rëndë, Barduani tha se KFOR-i kishte ofruar mbështetje logjistike për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, por theksoi se nuk ka informacione për hetimet që janë në zhvillim, përfshirë raportimet për pjesëmarrjen e FBI-së.
“Policia e Kosovës ka treguar se ka ditur ta menaxhojë situatën në mënyrë të duhur. Hetimet për të dyja rastet janë duke vazhduar dhe është e rëndësishme që faktet të grumbullohen. Ne nuk kemi liri të spekulojmë për ngjarje që i takojnë organeve të rendit dhe që ende nuk janë sqaruar.”
Barduani përmbylli qëndrimin e tij duke riafirmuar se roli i KFOR-it mbetet brenda mandatit të tij, ndërsa theksoi mbështetjen për institucionet e Kosovës në proceset hetimore dhe të sigurisë.