Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë është përuruar të hënën libri i Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes (Kronikë e një kasaphane)”.
Në këtë përurim kanë marrë pjesë personalitete nga jeta akademike, politike, veprimtarë të shumtë dhe ish-të burgosur politikë.
Ky libër ka nëntë kapituj, shkruan “Epoka e re”.
Në këtë libër nuk flet autori, por personazhi. Ky libër ka plot rrëfime të ndryshme për gjenocidin serb në Kosovë.
Libri “Eskadronët e vdekjes” është provë e hollësishme dhe e drejtpërdrejtë e krimeve shtetërore serbe ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj intelektualëve serbë që e ngritën zërin kundër gjenocidit në Kosovë.
Libri i Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes” është vlerësuar lart nga folësit e librit: Agim Vinca, Majlinda Sinani-Lulaj, Adem Gashi dhe Adnan Asllani.
Në përurimin e këtij libri, autori i librit, Bardhyl Mahmuti, nuk i fshehu emocionet derisa i përmendi ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Është e njohur ajo sintagma se fjalët nuk janë neutrale, por në rrafshin politik, nëse do të kishim pasur kapacitet t’i shtrydhnim në Kosovë, fjalët do të kullonin gjak, fjalët do të kullonin lot, fjalët do të kullonin mund. Dhe ky mund, këta lot, ky gjak sot e kësaj dite nuk na lë të qetë. Jakup Krasniqi, një ndër njerëzit më të ndershëm që ka Kosova, sot është në Hagë. Janë përmbysur gjërat për 23 vjet. Në vend që Serbia të përgjigjet për gjenocid, shokët tanë janë në Hagë, lufta jonë është vënë në bankë të akuzës. Unë aq sa kam mundur kam nxjerr nga vetja një të vërtetë, falë jush”, ka thënë autori.
E studiuesi Agim Vinca ka thënë se ky libër duhet të përkthehet edhe në gjuhën serbe dhe kroate. Ai ka thënë se autori Bardhyl Mahmuti e ka ndjekur parimin e së vërtetës, ndërkohë që ka rrëfyer se librin fillimisht e kishte lexuar në verën e vitit të kaluar gjatë një pushimi në Strugë.
“Pasi e lexova librin e Bardhylit, siç thashë në pushimin në Strugë, me të kthyer në Prishtinë i bëra një mesazh të cilin po e lexoj këtu: I dashur Bardhyl, e lexova librin nga faqja e parë deri tek e fundit, e ke zhveshur deri në palcë krimin serb mbi Kosovën dhe shqiptarët, por edhe monstruozitetin e një regjimi kriminal që nuk e kursen as popullin e vet që vret e masakron kundërshtarët e tij politikë edhe nga radhët e popullit të vet. Je njohës i shkëlqyer i mjediseve, rrethanave dhe mendësisë serbe dhe e ke gjetur mënyrën si ta paraqesësh atë, duke ia dhënë fjalën një gazetari profesionist dhe humanist serb nga qyteti i Kraljevës”, ka thënë Vinca.
“Pasi e lexova librin e Bardhylit, siç thashë në pushimin në Strugë, me të kthyer në Prishtinë i bëra një mesazh të cilin po e lexoj këtu: I dashur Bardhyl, e lexova librin nga faqja e parë deri tek e fundit, e ke zhveshur deri në palcë krimin serb mbi Kosovën dhe shqiptarët, por edhe monstruozitetin e një regjimi kriminal që nuk e kursen as popullin e vet që vret e masakron kundërshtarët e tij politikë edhe nga radhët e popullit të vet. Je njohës i shkëlqyer i mjediseve, rrethanave dhe mendësisë serbe dhe e ke gjetur mënyrën si ta paraqesësh atë, duke ia dhënë fjalën një gazetari profesionist dhe humanist serb nga qyteti i Kraljevës”, ka thënë Vinca.
“Në aspektin rrëfimor Bardhyli më habitë me rrjedhshmëri e spontanitet, me kulturë, me gjetje të figurshme në krahasime nga më të rrallat. Ai zotëron fenomenin që ne e quajmë fytyrëzim gjuhe, nga grimasa e deri te semantika e shqiptimit të fjalëve e zbulojmë karakterin e personazhit”, ka thënë ai.
Ndërsa publicistja Majlindë Sinani-Lulaj ka thënë se libri “Eskadronët e vdekjes” ka një logjikë teksti që nuk të humbet, por të mban me këmbë në tokë. “E tronditë lexuesin, por jo deri aty sa ta braktisë leximin. E ngarkon me anën emocionale, po jo sa për ta humbur arsyen. Qartëson anët, ndan rrugët, nuancon dhimbjet, por racionalisht krijon baraspeshën rrëfyese dhe ndërton konvergjencën kontekstuale të tragjikes. Kjo gjë, mendoj unë, i krijon librit veshjen e duhur për të hyrë dhe përmbushur misionin, holleve e salloneve (edhe mondane), ku ndonjëherë politika dhe diplomacia jonë nuk kanë një vend, apo në raste kur e kanë, harrojnë pse janë aty”, ka thënë Sinani-Lulaj.
Libri “Eskadronët e vdekjes” është botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Adnan Asllani ka thënë se ky takim i sotëm, përpos që ka vlera artistike, bartë me vete edhe misionin për publikimin e të vërtetës. “Ajo çka ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë është plaga jonë e hapur të cilën shteti serb, i cili asnjëherë nuk është distancuar nga e kaluara e tij, vazhdon ta ngacmojë. Shteti serb, sipas traditës së dy shekujve të fundit, së paku, sa herë i është dhënë mundësia ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve. Kështu ka ndodhur pas vitit 1878, kështu ka ndodhur gjatë Luftës së Parë Botërore, kështu ka ndodhur gjatë luftërave ballkanike, gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore e kështu ndodhi edhe me luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se krimi i gjenocidit në Kosovë ka mbetur i pandëshkuar andaj, sipas tij, kjo është një plagë e hapur për ne.
“20 vjet pa luftës Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë me të cilën e ka cilësuar gjenocid atë që forcat serbe kanë zbatuar gjatë luftës në Kosovë. Tani sfida kryesore është hartimi i dosjes i cili do të duhej të dorëzohej në Gjykatën Ndërkombëtare me të cilën Serbia do të duhej të dënohej për krimin e gjenocidit. Ky është një mision jo aq i lehtë sepse kërkon punë e angazhim të përditshëm, por nuk është një mision i pamundur”, ka thënë Asllani.
Libri i autorit Bardhyl Mahmuti është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe është botuar në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, më 15 janar 2021.
Promovimi i tij ka filluar tani sepse ishte shtyrë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë Covid-19. Pas Prishtinës, autori do ta përurojë librin edhe në Shkup, më 18 maj 2022, në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.