11.3 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Bardhyl Jerliu letër ministrit Rifat Latifi: Dorëhiqem nga bordi i sekretarisë teknike, u kërcënova dhe u ofendova

- Advertisement -

Bardhyl Jerliu ka dhënë dorëheqje nga Sekretaria Teknike në Bordin për trajtim mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP).

Ai i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ku thotë se një nga arsyet e dorëheqjes është kërcënimi që ka marrë nga Arben Grazhdani.

“Në takimin e mbajtur më datë 25.03.2022, pikërisht për reagimin tim ndaj një veprimi të gabuar të Bordit, takimi merr një kahje tjetër dhe i gjithë debati kalon në fyerje, ofendim dhe kërcënim serioz ndaj meje, ku z. Arben GRAZHDANI, ndër të tjera, më drejtohet me fjalët se: “Unë të heqë kur të dua nga nga Bordi dhe jo vetëm nga Bordi, prandaj ose duhet të bashkohesh me grupin ose duhet të largohesh sepse me këto reagime ju po distancoheni nga grupi” duke më vënë kështu edhe epitetin prej “tradhtari” dhe duke thënë se jeni i padëshiruar në këtë grup”, thotë Jerliu.

Ai tutuje thotë se pas kërcënimeve që ka marrë e ka të pamundur të jetë pjesë e Bordit.
“Prandaj i nderuar z. Ministër, duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë si dhe rrjedhën e ngjarjeve nga takimi i fundit i Bordit për TMJIShP, ku ndjehem jashtëzakonisht i fyer dhe i kërcënuar, me anë të kësaj shkrese jap dorëheqje nga detyra e sekretarisë teknike sepse e kam të pamundur të vazhdoj tutje dhe nuk dua të jemë më pjesë e këtij Bordi”, thotë Jerliu në letrën e dërguar ministrit Latifi.

Letra e tij e plotë:

I nderuar Ministër i Shëndetësisë dr. LATIFI,

Fillimisht më lejoni që nëpërmjet kësaj shkrese të shpreh konsideratën time më të lartë për Ju.

Jam shumë i sigurtë dhe i bindur që nën drejtimin tuaj të këtij institucioni shumë të rëndësishëm siç është Ministria e Shëndetësisë, sistemi shëndetësor në vendin tonë do të përmirësohet dhe do të avancojë dukshëm në të mirë të pacientit duke përfituar kujdes shëndetësor cilësor në të gjitha nivelet e shëndetësisë.

I nderuar z. Ministër, më lejoni t’ju njoftoj se unë Bardhyl JERLIU i emëruar në pozitën e Sekretarisë Teknike në Bordin për trajtim mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP) me vendimin (e Ministrit të Shëndetësisë) nr. 287/VIII/2021, nr. prot. 05-5704, datë 24.08.2022, jap dorëheqje nga kjo detyrë.

Arsyet e dorëheqjes time vijnë si pasojë e disa veprimeve dhe sjelljeve të Bordit për TMJIShP e të cilat janë si në vijim:

– Aprovim i shumave financiare në shpërputhje me UA 03/2017 për TMJIShP;
– Aplikim i standardeve të dyfishta në aprovim të shumave financiare duke dëmtuar kështu buxhetin e programit për TMJIShP;
– Devijim i mbarëvajtjes së punës duke mos respektuar radhën e lëndëve në pritje;
– Mbajtja e takimeve jashtë objektit të Fondit dhe brenda orarit të punës e që është në kundërshtim edhe me rekomandimet e Auditorit të Përgjitshëm si dhe ligjet në fuqi;
– Tërheqja e të gjitha lëndëve (me kërkesë dhe ultimatum të kryesueses së Bordit) jashtë Fondit rrjedhimisht jashtw Divizionit pwr TMJIShP duke u mundësuar qasje personave të paautorizuar dhe duke rrezikuar kështu rrjedhjen e informatave të pacientëve, informata këto të mbrojtura me ligj;
– Ndërhyrja direkte dhe tjetërsimi i procesverbaleve nga ana e kryesueses së Bordit (duke fshirë fakte të evidentuara gjatë takimeve);
– Caktimi i një sekretarie shtesë pa kërkesën time dhe në emër të punëve shtesë dhe kjo në kundërshtim me UA 03/2017 për TMJIShP.

I nderuar z. Ministër, për të gjitha këto dukuri dhe veprime kam reaguar në vazhdimësi por që deri tani nuk ka pasur asnjë reflektim pozitiv nga ana e Bordit për TMJIShP!

Përkundrazi, në takimin e mbajtur më datë 25.03.2022, pikërisht për reagimin tim ndaj një veprimi të gabuar të Bordit, takimi merr një kahje tjetër dhe i gjithë debati kalon në fyerje, ofendim dhe kërcënim serioz ndaj meje, ku z. Arben GRAZHDANI, ndër të tjera, më drejtohet me fjalët se: “Unë të heqë kur të dua nga nga Bordi dhe jo vetëm nga Bordi, prandaj ose duhet të bashkohesh me grupin ose duhet të largohesh sepse me këto reagime ju po distancoheni nga grupi” duke më vënë kështu edhe epitetin prej “tradhëtari” dhe duke thënë se jeni i padëshiruar në këtë grup.

Për mua, aq sa edhe për institucionin që ju drejtoni, është shumë shqetësuses fakti që një individ i cili nuk është punëdhënës i imi e as nuk më ka emëruar në këtë detyrë, merr guximin të sillet në këtë mënyrë!

I nderuar z. Ministër, në qoftë se këto ofendime, fyerje e kërcënime vijnë për shkak të reagimit dhe mospajtimit tim ndaj veprimeve të Bordit dhe kështu më bëkan të padëshirueshëm për këtë Bord, atëherë konsideroj që ky duhet të jetë problem serioz për vetë Bordin dhe jo për mua që kam ngritur zërin gjithmonë kur kam konsideruar se po devijohet procesi.

Prandaj i nderuar z. Ministër, duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë si dhe rrjedhën e ngjarjeve nga takimi i fundit i Bordit për TMJIShP, ku ndjehem jashtëzakonisht i fyer dhe i kërcënuar, me anë të kësaj shkrese jap dorëheqje nga detyra e sekretarisë teknike sepse e kam të pamundur të vazhdoj tutje dhe nuk dua të jemë më pjesë e këtij Bordi.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dhe duke i falënderuar të gjithë ata që patën dhe vazhdojnë të kenë besim në mua dhe punën time

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit