FC Barcelona ka tashmë një rrugë të hapur për të ëndërruar sërish për transferimin e Nico Williams. Sulmuesi i përfaqësueses spanjolle dhe një nga yjet e Athletic Club është i gatshëm të ulë kërkesat e tij ekonomike për të veshur fanellën blaugrana – një gjest i rëndësishëm që tregon mbështetje të drejtpërdrejtë për projektin që trajneri Hansi Flick i ka paraqitur personalisht.
Sipas mediave spanjolle, përfaqësuesit e lojtarit kanë njoftuar Barcelonën se ai do të pranonte të njëjtën shumë bruto që ishte diskutuar edhe një vit më parë. Kjo tregon gatishmërinë e tij për të bërë sakrifica ekonomike në mënyrë që të bashkohet me katalanasit.
Të premten që lamë pas, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, zhvilloi një takim në qytet me agjentin e Nico Williams, Félix Tainta – një takim që ka rikthyer në lojë interesimin e klubit për lojtarin. Edhe pse ende nuk ka asgjë të finalizuar apo të nënshkruar, fakti që palët janë ulur në tryezë, në mes të merkatos, është një sinjal i qartë i ringjalljes së negociatave. Një foto e publikuar së fundmi, ku shfaqen bashkë Lamine Yamal dhe Nico, vetëm pak pas lajmit për takimin, ka ndezur edhe më shumë zërat.
Gjithsesi, Barcelona nuk është e vetme në këtë garë. Bayern Munich, që pritet të humbasë Leroy Sané dhe Thomas Müller, e sheh Nico Williams si përparësi pas dështimit për të transferuar Florian Wirtz (që do t’i bashkohet Liverpoolit). Drejtori sportiv bavarez Max Eberl ka theksuar se klubi gjerman po e ndjek me kujdes situatën dhe do të veprojë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.
Ndërkohë, Athletic Bilbao po përpiqet të blindojë “xhevahirin” e tyre me një kontratë të re të përmirësuar, ndërsa në sfond qëndron edhe Arsenali, si dhe një alternativë e mundshme për Barcelonën – Luis Díaz.
Transferimi i Nico Williams pritet të jetë një nga sagat më të nxehta të kësaj vere. Megjithatë, pas takimit të zhvilluar në Barcelonë, katalanasit kanë sërish diçka që nuk e kishin më parë: një derë të hapur.