Barcelona ka përcaktuar prioritetet e saj për afatin kalimtar veror, duke kërkuar përforcime si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Tre prej objektivave kryesorë të klubit luajnë aktualisht për Borussia Dortmund.
Nico Schlotterbeck është emri i parë në listë. Mbrojtësi gjerman ende nuk ka rinovuar kontratën që i skadon në vitin 2027, dhe sipas “Bild”, ai po shqyrton mundësinë e një largimi. Bayern Munich dhe klubet angleze janë destinacionet që ai preferon, por Barcelona ka bërë një përpjekje konkrete për ta marrë.
Trajneri Hansi Flick e sheh Schlotterbeckun si profil ideal, pasi e ka stërvitur më parë te Kombëtarja e Gjermanisë. Megjithatë, Dortmundi nuk pritet ta lëshojë në afatin e janarit, duke e bërë verën e vetmen periudhë reale për negociata.
Barcelona po monitoron edhe situatën e Karim Adeyemit. Kontrata e tij gjithashtu skadon në vitin 2027 dhe bisedimet për rinovim po vështirësohen. Sulmuesi i krahut pëlqehet nga Liverpooli dhe Real Madridi, por sipas “El Nacional”, ai mund të konsiderohet opsion edhe për Barcelonën në rast largimi të Raphinhas.
Në fazën e sulmit, klubi katalanas po përgatitet për epokën pas Robert Lewandowskit, i cili me shumë gjasa nuk do të marrë kontratë të re.
Serhou Guirassy është në qendër të vëmendjes, pasi ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh dhe dëshiron të largohet nga Dortmundi këtë verë.
Barcelona e sheh Guirassyn si një mundësi të rëndësishme, duke qenë se kërkon një qendërsulmues të ri dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësinë në vijën e parë të sulmit. Negociatat do të varen nga situata financiare, por interesi mbetet i fortë.
Në tërësi, Blaugranat po shikojnë drejt Dortmundit si burimin kryesor për përforcimet e verës, duke u fokusuar në tre profile që mund të forcojnë menjëherë mbrojtjen dhe sulmin.








