Barcelona ka një qëndrim të qartë për mesfushorin 22-vjeçar, Fermin Lopez, duke deklaruar se nuk ka ndërmend ta shesë atë, pavarësisht interesimit të madh nga Chelsea, shkruan gazetari Gerard Romero.
Klubi katalanas, ndonëse përballet me kufizimet e rrepta të “fair play financiar, është i gatshëm të shqyrtojë një transferim vetëm nëse vetë lojtari kërkon largimin.
Sidoqoftë, Barcelona e konsideron Lopezin një pjesë të rëndësishme të skuadrës së trajnerit Hansi Flick.
Sipas “The Athletic”, Chelsea ka nisur kontaktet me kampin e futbollistit për të testuar gatishmërinë e tij për një kalim në “Stamford Bridge”, ku mesfushorit i është premtuar një rol udhëheqës nga trajneri Enzo Maresca.
Lopez ka pasur minuta të kufizuara si titullar në dy ndeshjet e para të Barcelonës në La Liga për sezonin 2025/26, për shkak të konkurrencës së fortë nga Dani Olmo dhe Raphinha.
Megjithatë, ai ka shprehur hapur besnikërinë e tij ndaj Barcelonës, klubit ku është rritur.
Hansi Flick e sheh 22-vjeçarin si një element kyç në sistemin e tij dinamik me presion të lartë, ndërsa çdo ofertë e mundshme nga Chelsea – e cila mund të arrijë shifrën 50-75 milionë euro – nuk do të merret në konsideratë, përveçse në rast se vetë lojtari kërkon largim.