Barcelona ka përfituar nga gabimi i Realit kundër Atleticos, për ta mposhtur Sevillan si dhe të kthehet fuqishëm në garën për titull.
Katalunasit i arkëtuan pikët e plota me rezultat 1:4, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet.
Robert Lewandowski kaloi Barcelonën në epërsi pas vetëm shtatë minutave lojë, me një gol nga afërsia pas asistimit të Martinez.
Megjithatë, një minutë më vonë Niguez asistoi për Vargas që shënoi përballë Szczesnyt për ta barazuar rezultatin (8’).
Si Barcelona ashtu edhe Sevilla kishin disa raste shënimi në këtë pjesë mirëpo dështuan t’i finalizojnë.
Sidoqoftë, Barcelona e nisi shumë më mirë pjesën e dytë. Fermin Lopez realizoi një gol të bukur pas asistimit të Pedrit për ta rikthyer epërsinë (46’).
Kurse, nëntë minuta më vonë Raphinha me një eurogol nga distanca u përkujdes për ta dërguar rezultatin në 1:3 (55’).
Barça në fakt mbeti edhe me një lojtar më pak pasi Lopez u ndëshkua direkt me të kuq, megjithatë e ruajtën rezultatin deri në fund.
Derisa Sevilla po sulmonte, mysafirët zhvilluan një kundërzbritje ku Garcia e vulosi fitoren (90’).
Barcelona qëndron në pozitën e tretë me 48 pikë, vetëm dy më pak se Real Madridi derisa Sevilla zë vendin e 13-të me 28 sosh.