Filmi Barbie shënon historinë. Ky projekt kinematografik dominoi në shitjen e biletave për fundjavën e tretë radhazi në kinematë e Amerikës së Veriut, duke çuar vlerën globale në shifrën e një miliard dollarëve.
Warner Bros Pictures tha se nga filmi u shitën 549 milionë Dollarë bileta brenda vendit që përfshin si SHBA-në dhe Kanadanë dhe 572.1 milionë Dollarë të tjerë jashtë shtetit që nga publikimi i tij më 21 korrik.
“Barbie ka hedhur poshtë edhe parashikimet tona më optimiste”, thanë Jeff Goldstein dhe Andrew Cripps, të cilët mbikëqyrin shpërndarjen e filmit.
Filmi vendosi një rekord për regjisoren Greta Gerwig, duke e bërë atë regjisoren e parë femër që kryeson vlerën prej 1 miliard Dollarësh. Gerwig e nominuar për Oscar është e njohur për vizionin e saj feminist, duke mbikëqyrur sukseset e mëparshme si “Ladybird” dhe prodhimin e vitit 2019 të “Little Women”.
Barbie interpretohet nga Margot Robbie në rolin e kukullës ikonike dhe Ryan Gosling si i dashuri i saj Ken. Historia e dy kukullave teksa largohen nga “Barbie Land” për një aventurë në botën reale, që tanimë është kthyer në një fenomen duke rrëmbyer zemrën e të gjithë njerëzve në mbarë botën.
“Barbie” është vetëm filmi i gjashtë që tejkalon shifrën e një miliard Dollarëve fitimi më i madh që nga pandemia COVID-19, sipas Variety. Në vendin e dytë renditet filmi “Meg 2” me 30 milionë Dollarë nga shitja e biletave ndërsa “Oppenheimer” i Christopher Nolan u rendit në vendin e tretë me 28.7 milionë dollarë.