Derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në tentimin e dhjetë për të konstituuar organin më të lartë ligjvënës në vend, pas nëntë dështimesh të kaluara, çdo 48 orë që nga 15 prilli kur u mbajt seanca e parë, analisti Mazllum Baraliu, gjithë situatën në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur si një sjellje të papërgjegjshme, lojë betejash dhe akt i një teatri absurd.
Sipas tij, kjo krizë institucionale është artificiale, e panevojshme dhe e paarsyeshme.
Baraliu tha se përgjegjësia është e të gjithëve, por parësore është e partisë fituese të zgjedhjeve që të gjejë zgjidhje.
“Subjekti i parë domosdoshmërisht dhe urgjentisht duhet të gjejë një zgjidhje përmes marrëveshjeve. Ata u përpoqën, po përpiqen. Dje pati një takim, është hap i mirë”, tha tutje ai.
Por, e quajti për keqardhje që nga takimi i djeshëm mes Kurtit e Krasniqit nuk u prodhua asnjë rezultat.
Baraliu tha se Kurti nuk do të duhej të selektonte partitë politike, por në takim do të duhej thirrur të gjitha partitë parlamentare.
“Do të duhej të përgatiteshin më mirë këto takime, do të duhej thirrur të gjithë, jo dikë po dikë jo, pavarësisht numrit të mandateve, jo në mënyrë selektive, sepse me selektivitet nuk bëhet as drejtësi, as shtet as qeveri”, u shpreh Baraliu për RTK.
Profesori Baraliu tha se vonesat në krijimin e institucioneve u shërbejnë më së shumti armiqve të Kosovës, siç janë Beogradi e Moska.
“Vonesat e konstituimit të institucioneve i konvenon armiqve si Beogradi e Moska, por ka edhe të tjerë edhe në lindje dhe në perëndim të cilët thonë se këta nuk kanë merituar shtet. Por, më së shumti i konvenon Beogradit që trumbeton në diplomacinë botërore se këta nuk janë të aftë të mbajnë shtet, dhe ne po dëshmojmë se nuk dimë të bëjmë shtet”, vijoi tutje ai.
Profesori Baraliu tha se është e domosdoshme që të ketë reagim sa më të shpejt nga presidentja e cila, sipas tij, obligohet nga Kushtetuta e Kosovës të kujdeset për mirëfunksionimin e institucioneve.
Baraliu tha se votimi i fshehtë i cili u tentua të bëhej një ditë më parë në Kuvend për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit do të ishte shkelje në këtë fazë.
“Edhe Kushtetuta edhe vendimi i Kushtetueses e përmend mundësinë e votimit të fshehtë dhe të hapur, por kjo është dashur të bëhej në fillim kur ka filluar në ditën e parë më 15 prill, është dashur të propozohej nga partia fituese, tash është vonë, tash nuk bën, është shkelje”, tha tutje ai.