20.7 C
New York
Wednesday, September 10, 2025

Buy now

Baraliu: Qëndrimet e Presidentes janë legjitime, vendimi i Kushtetueses mund të cenojë themelet e shtetit

- Advertisement -

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se qëndrimet e Presidencës së Kosovës në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë legjitime dhe legale, duke theksuar se masat e përkohshme të kësaj gjykate mund të krijojnë precedent të rrezikshëm për sistemin kushtetues dhe politik të vendit.

Ai për Ekonomia Online ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të merren me kujdes të veçantë, pasi ekziston rreziku që ato të cenojnë bazat e shtetit.

“Më lejoni që të konstatoj që të gjitha ato komunikime, konferenca, deklarata qëndrime e presidencës janë qëndrimet e një institucioni të rëndësishëm të Kosovës dhe janë legjitime dhe janë legale. E drejtë e secilit është që të jep komente madje në masën e përkohshme, ndërkaq sa i përket masës së përkohshme, qoftë se ajo çfarë është i ndikuar nga Gjykata Kushtetuese mund të orientohej edhe vendimin e saj në kuptim të cenimit Kushtetutës dhe të tjera, kushtimisht po e them në thonjza. Atëherë gjithsesi që kemi një vendim të pa precedent madje edhe në kundërshtim me praktikat parlamentare që ajo ndonjëherë bashkë me opozitën po thirren sikur se janë normë juridike, në fakt nuk janë normë juridike e që më herët ka pasur raste të tilla kur nënkryetarët nuk janë votuar dhe seanca është konstituuar, presidentja është thirrur në ato fakte, në ato dëshmi, në ato përvoja institucionale dhe ka ndikuar gjithsesi rrezikun që qoftë se kjo masë e cila nuk është kusht që të orientojë çdo herë vendimin përfundimtar të Gjykatës, por vetë fakti që ka pasur edhe disa sharrime më tepër që ndoshta i takojnë situatës dhe rastit konkret, ekziston rreziku sipas qëndrimit të presidencës që me të vërtetë të rrezikohemi me bllokimin, me mos veprimin e deputetëve në Kuvend, me mos veprimin e qeverisë në drejtim të konstituimit dhe mandatimit dhe thjeshtë ka rreziqe të cilat në fakt tejkalojnë mbase edhe kompetencat dhe fushveprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese por edhe cenojnë bazat themelore të sistemit kushtetues, sistemit politik dhe juridik të këtij vendi”, tha Baraliu.

Ai ka shtuar se Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë me kujdes të veçantë për të mos hapur rrugë për precedent të rrezikshëm.

“Sepse një shembull që një subjekt politik toksik i i cili nuk pranon të refuzojë të drejtën që kishte dhe mandej të pretendojë që ka shkelje e madje të drejtohet me një emër jo kushtetues dhe ajo Gjykatë të marrë, ajo Gjykatë duhet të mendojë mirë për veprimet e saja. E di që është në pozitë të pa lakmuar me gjithë këto goditje kërkesash nga deputetë e partitë politike që nuk janë të aftë për të kryer disa punë praktike teknike dhe procedurale e bombardojnë atë me kërkesa. Por duhet që të ketë kujdes se çfarë vendime bjen”, ka deklaruar ai.

Duke e parë këtë si një rrezik për funksionalitetin e shtetit, Baraliu theksoi se një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese do të hapte rrugë për Listën Serbe që të bllokojë institucionet.

“Qoftë se thjesht shkon në këtë drejtim që t’i jap të drejtë kërkesës, atëherë faktikisht pranon të drejtën e vetos së një subjekti politik që do të thotë edhe herave të tjera hap rrugë që të tjerë dhe këta njerëz të cilët asnjë herë nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe nuk e njohin, po flas për përfaqësuesit e Listës Serbe, përkundrazi kanë goditur themelet e tij, me të drejtë paralajmëronë për rreziqet që mund të ketë një vendim i cili mund të cenojë bazat e shtetit edhe të institucioneve por edhe të shtetit dhe republikës”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, duke akuzuar Listën Serbe se po synon bllokimin e formimit të institucioneve.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi e Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se “po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar”.

“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, theksoi presidentja.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe zhvillimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re.

Të ngjashme

Të fundit