Subjektet politike kanë nisur zyrtarisht fushatën elektorale, për zgjedhjet nacionale që do të mbahet më 9 shkurt.
Lidhur me programet e tyre, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se ato nuk janë reale.
“Ka premtime joreale, janë disa që nuk kanë të bëjnë as me inteligjencë artificiale. P.sh., një subjekt politik thotë në fillim të fushatës se do t’i dhurojmë ‘kaq përqindje kësaj kategorie’, ndërkohë që është një ligj në fuqi që e kanë miratuar ato qeveritë e mëhershme e që nuk është zbatuar asnjëherë e që parasheh se për atë kategori duhet bërë për çdo vit përditësimi i shpenzimeve të shportës. Diçka që është e nevojshme nuk e kanë zbatuar, nuk është zbatuar as nga qeveria e tanishme”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas tij, subjektet politike duke dashur që me çdo kusht të marrin pushtetin ofrojnë programe që janë të parealizueshme.
“Programet janë jo reale dhe nuk është në rregull që subjektet politike duke dashur që me çdo kusht të marrin pushtetin të ofrojnë programe që herë-herë jo në letër, por vetëm në ajër ose në fruskula politike, të cilat janë të parealizueshme dhe të cilat nuk mund t’i realizojë as ajo e asnjë qeveri”, tha ai.