Mazllum Baraliu, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me (mos) dorëheqjen e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së.
Ai ka thënë se Presidentja e vendit duhet brenda afatit ligjor të thërras seancën konstituive të Kuvendit.
‘’Brenda afatit 30 ditor ta caktoj seancën konstituive e cila duhet të bëjë betimin dhe verifikimin e mandateve. Pa betim nuk ka fillim të mandatit’’, ka thënë Baraliu.
Tutje Baraliu ka thënë se është fatkeqësi se ka kundërshti dhe kolozione mes dispozitave të ligjeve dhe Kushtetutës për sa i përket dhënies dorëheqje të qeverisë sepse tani kemi edhe një situatë të re.
‘’Tani shtrohet pyetja logjike dhe çdo gjë që nuk është logjike s’mund të jetë as juridike’’, ka thënë ai.
‘Në këtë rast po të jepej dorëheqje kujt do ti bëhej, Kuvendi nuk është në funksion, jashtë mandatit, qeveria është jashtë mandatit, qeveria jep dorëheqje në funksion të Kuvendit, Kuvendi është jashtë mandatit… pra, është një situatë amorfe, anabioze, është vakum në fakt sepse s’ke kujt ti bën dorëheqje. Por, ajo që është me rëndësi është se qeverisja tani është në detyrë dhe është qeverisje që mund të merret vetëm me punë teknike, administrative’’, ka thënë Baraliu.
Si qeveri teknike, Baraliu ka thënë se s’mund të marrin vendime të cilat i përkasin brenda mandatit të plotë.
‘’S’ka mandat, është veç ushtrim të përditshmërisë’’, ka thënë ai.