-0.3 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Banorëve të zhvendosur nga Hadja iu kërkohet të paguajnë tatim për ish-pronën

- Advertisement -

Banorët e fshatit Hade e Re ende janë duke paguar tatim prone për vendin ku dikur jetonin, para se të shpërnguleshin nga viti 2002 e këndej nga fshati.

Hadja është një nga fshatrat në Komunën e Obiliqit që i përket zonës së shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK. Në këtë zonë gjenden rezerva të qymyrit – burimit më të rëndësishëm energjetik të Kosovës, i cili furnizon rreth 97 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike.

Nebih Shala, Ruzhdi Mirena dhe Sh.P, janë që të tre banorë të Hades, të cilët kanë qenë pjesë e projektit të zhvendosjes. Që të tre janë duke banuar në Hade të Re, por përveç kësaj ata kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët si shumica e banorëve tashmë të zhvendosur: Që të tre banorëve iu është kërkuar të paguajnë tatim edhe për pronën ku dikur jetonin e që më nuk ekziston në emër të tyre.

Nebih Shala, banor i Hades së Re, i cili njëherësh është edhe zyrtar i Gjendjes Civile në Komunë të Obiliqit, tregoi për Radion Evropa e Lirë se kompensimet për pronë i janë bërë në vitin 2011, kompensimet të cilat bëhen nga KEK-u dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ku sipas zyrtarit Qeveria i ka kryer procedurat ndërsa KEK-u e ka bërë pagesën.

“Në vitin 2011 mua më është bërë pagesa për shpronësim dhe në vitin 2012 më ka ardhur [njoftimi] që jam i ngarkuar me tatim… Ne kemi dalë në vitin 2012, sepse na kanë larguar nga Hadja dhe kemi qenë diku dy vite si në [gjendje] emergjente në banesë në Obiliq derisa e kemi ndërtuar shtëpinë këtu… Kompensimi është bërë në fund të vitit 2011… Për ish-pronën, për 2012 kur unë kam qenë i shpronësuar më kanë mbetur edhe 38 euro tatim në pronë edhe ai borxh nuk është shlyer dhe nuk e kam ndërmend ta paguaj fare, sepse unë nuk kam jetuar aty më 2012… Të gjithë kanë borxhe, shumicës i kanë mbetur borxhet e Hades atje”, u shpreh Shala për REL.

Pamje e fshatit Hade në Obiliq.
Pamje e fshatit Hade në Obiliq.

Kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, lidhur me këtë çështje, tha se: “Duhet pyetur në komunë për atë se ne nuk e dimë”.
Në anën tjetër, drejtori i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, Arben Berisha, e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë duke thënë se pas inicimit të çëshjtes së shpronësimit, ata janë në pritje të një takimi në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të kaluar në fazën e bartjes së pronave.

“Realiteti është ai që po e thoni ju [banorët ende paguajnë tatim prone edhe pas shpërnguljes]… E kemi iniciuar këtë çështje me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për arsye se nuk e kanë sjellë dokumentacionin komplet të shpronësimit edhe të ndërrimit të pronarëve, nga pronarët privatë në pronarë Qeveria e Republikës së Kosovës… Po presim çdo kohë që Ministria të na dërgojë komplet lëndët, [pastaj] ne hymë në aparat kadastral dhe e bëjmë bartjen e pronave”, tha Berisha për REL.

Shpronësimet dhe zhvendosjet nga këto zona kanë nisur që nga viti 2002, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009, kur edhe është shpallur Zonë e Interesit të veçantë ekonomik.

Skënder Bucolli, drejtor i zyrës Ekzekutive për Marrëdhënie me publikun, në një prononcim më herët për REL-in kishte thënë se nga viti 2002 deri në vitin 2013, nga fshati Hade janë larguar rreth 127 familje dhe janë shpronësuar 156 hektarë tokë.

Ruzhdi Mirena në shtëpinë e vjetër në Hade.
Ruzhdi Mirena në shtëpinë e vjetër në Hade.

Ruzhdi Mirena, tashmë banor i Hadës së Re, tregoi për Radion Evropa e Lirë se në tetor të vitit 2020 kanë nënshkruar kontratë me KEK-un, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunën e Obiliqit, pastaj për vitin 2020 dhe vitet në vijim, 2021 dhe 2022 iu është kërkuar të paguajnë tatim prone, ani pse ai është tashmë i zhvendosur.

“Ne kemi shkuar në komunë [kemi pyetur] se si ne kemi nënshkruar kontratën dhe na ka ardhur faturimi për pagesë. Na ka ardhur çdo vit [nga viti që jemi zhvendosur] fatura për të paguar [tatim], edhe pse me marrëveshje ka qenë për të na liruar nga të gjitha tatimet”, u shpreh Mirena për REL.

Të njëjtin problem e ka edhe banori Sh.P, i cili është zhvendosur nga Hadja në vitin 2004, dhe ai për Radion Evropa e Lirë e cilësoi këtë situatë si neglizhencë nga institucionet kompetente.

“Trojet nuk ekzistojnë dhe kërkohet tatimi për to… Trualli im nuk dihet se ku është… kjo është moskryerje e punëve të tyre. Unë kam qenë njëherë, ka figuruar tatimi 19 euro, personat me të cilët kam biseduar, ata njerëz [kanë thënë] që iu figuron tatimi në pronë“, u shpreh banori i Hades për REL-in.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore në vitin 2016, për projektin e Termocentralit Kosova e Re, thuhet se banorët kanë thënë se kanë pësuar humbje toke, mjete të jetesës. Sipas hulumtimit, një pjesë e banorëve kanë thënë se është zhvendosur me detyrim nën një Plan të Veprimit për Zhvendosje, i cili nuk ka qenë në pajtueshmëri, dhe gjatë më shumë se një dekade, ata kanë pësuar varfërim, kanë mbetur pa strehë, janë përballur me mungesë të ushqimit, mungesë të tokës dhe papunësi.

Tutje, në hulumtim thuhet se Menaxhmenti i Bankës shpjegon se asnjë projekt i mbështetur nga Banka në sektorin e minierave dhe energjisë në Kosovë nuk ka kërkuar zhvendosje dhe gjithashtu pranon se praktikat e kaluara të zhvendosjes në Kosovë që janë bërë para angazhimit të Bankës, kanë pasur ndikime negative mbi popullatën e prekur.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Mirëpo, në vitin 2020 me një njoftim për media kompania tregoi se ky projekt nuk mund të realizohet për shkak të kundërshtimit të ndërtimit të këtij termocentrali nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, asokohe në mandatin e parë.

Mihjet sipërfaqësore të thëngjillit që shfrytëzohen nga termocentralet
Mihjet sipërfaqësore të thëngjillit që shfrytëzohen nga termocentralet

Sipas Panelit të Inspektimit, që nga viti 2004 Hadja është ndarë në tri pjesë duke i shkaktuar dëme komunitetit si tërësi dhe tri nën-grupeve të popullsisë së saj në këtë mënyrë: ata që ishin evakuuar në 2004/05, të prekurit nga zhvendosja e pavullnetshme nga Shala në vitin 2012, dhe personat e të tjerë, e ardhmja e të cilëve sipas Panelit të Inspektimit, është e pasigurt.

“Gjithsej 158 familje me 664 persona i janë nënshtruar evakuimit emergjent në 2004/05. Kjo përfshiu një grup prej 30 familjeve të dëbuara me forcë nga ana e autoriteteve në atë kohë. Përderisa këto familje pranuan kompensimin, nuk u realizua as vlerësimi i pavarur për nivelet e kompensimit e as monitorimi sistematik i gjendjes së tyre nga asnjë institucion”, thuhet ndër të tjera në hulumtim.

Visar Mirena, banor i Hades tha për REL se “para shpronësimit kur i kemi nxjerrë herën e fundit certifikatat e pronave, na ka ardhur që kemi borxh, a ne realisht kemi qenë të liruar nga borxhet. Këtu ka mospërputhje me atë që është marrë vendim edhe me atë që kanë vepruar”.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me atë se a është e vërtetë që banorët paguajnë tatim edhe për ish-pronën pasi janë zhvendosur, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, REL nuk ka marrë përgjigje.

Dy shtëpitë e vjetra ku dikur jetonte Ruzhdi Mirena me familje.
Dy shtëpitë e vjetra ku dikur jetonte Ruzhdi Mirena me familje.

Çfarë ndodh nëse nuk paguhet tatimi?

Në rast të mospagesës së detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesit, në doracakun për pyetje/përgjigje të Administratë Tatimore të Kosovës, thuhet se ATK-ja do të ndërmarrë të gjitha masat që janë të parapara me legjislacionin tatimor, ku do të kalohet në procedurat e Mbledhjes së Detyrueshme.

Me mbledhje të detyrueshme nënkuptohet se Administrata Tatimore e Kosovës ka autorizime të shumta, të cilat janë të parapara me ligjet tatimore, si: kërkimi i informatave për pasurinë si nga tatimpaguesit, ashtu edhe nga palët tjera duke përfshirë bankat, regjistrimin e barrës tatimore (në tërë pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme).

Mbledhja e detyrueshme nënkupton edhe: bllokimin e llogarive bankare dhe konfiskimin e mjeteve në to, bllokimin dhe konfiskimin e mjeteve të pritura nga klientët apo punëdhënësit, bllokimin e mallrave për import apo eksport, mos-lejimin për largim nga Kosova, konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme (me përjashtim të gjësendeve themelore për jetesë të familjes), shitjen e pasurisë së konfiskuar, ndjekjen penale etj.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit