Problem në furnizimin me ujë të pijshëm po kanë banorët e Fushë Kosovës, të cilët jetojnë në kate të larta të banesave.
Një banore, ka shprehur shqetësimin e saj në redaksinë e Klankosova.tv, e cila tha se punëtorët e ujësjellësit nuk shkojnë në vendet ku ka probleme, pavarësisht thirrjeve të shpeshta.
Lidhur me këtë, Klankosova.tv ka kontaktuar me zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila pohoi se ka probleme me furnizim me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë.
Sipas saj, ky telash vjen si shkak i turbullirave të vazhdueshme të ujit në kanalin Iber-Lepenc.
Pos tjerash, ajo tha se Ujësjellësi nuk ka obligim për të siguruar shtypje apo furnizim të rregullt në kate të larta.
“Problemet aktuale me furnizimin me ujë në NjOU – Fushë Kosovë lidhen me turbullirën e vazhdueshme të ujit në kanalin Iber-Lepenc. Tre javë asnjë konsumator nuk ka mbetur pa furnizim me ujë. Megjithatë, vështirësi më të mëdha hasen në katet e larta, mbi katin e 7, veçanërisht tek konsumatorët që jetojnë në ndërtesa pa rezervuar. Duhet theksuar se Ujësjellësi nuk ka obligim për të siguruar shtypje apo furnizim të rregullt në këto kate të larta”, tha Mjeku në një përgjigje për Klankosova.tv






