Dane Gillespie, 18-vjeçari nga Belfasti i Irlandës së Veriut, ishte për pak orë milioneri më i ri i Britanisë së Madhe. Ai kontrolloi llogarinë e tij bankare pasi priste që gjyshja e tij t’i kalonte 8 mijë e 900 paund për të shlyer tarifën e universitetit.
Ai hapi llogarinë dhe ç’të shihte, kishte 8,9 milionë paund, gati 10 milionë euro, për shkak të një gabimi të bankës. “Mami, babi, jemi të pasur”, ulëriti menjëherë djali, duke i treguar prindërve shumën e jashtëzakonshme.
Megjithatë, Caroline, nëna e tij, frenoi menjëherë entuziazmin e djalit, i cili i kishte thënë se do të dilte e do të blinte menjëherë një makinë luksoze. “Mos u bëj budalla – i tha djalit – Nuk janë paratë tona, duhet të gjejmë një mënyrë dhe t’i kthejmë menjëherë”.
Për disa orë studenti i Belfast Met ishte një nga milionerët më të rinj të Britanisë, por ëndrra e tij zgjati pak. Sapo banka u njoftua për gabimin rregulloi gjithçka dhe në praktikë ishte e thjeshtë, pasi nga llogaria u hoqën vetëm tri zero, të cilat bënin një diferencë të madhe.