-6.1 C
New York
Tuesday, January 27, 2026

Buy now

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike mbi mesataren rajonale për Kosovën, por nën potencialin e dëshmuar

- Advertisement -

Banka Botërore ka publikuar raportin e fundit “Global Economic Prospects” për janarin 2026. Ndonëse ekonomia globale ka tejkaluar pritshmëritë, raporti paralajmëron se bota po hyn në një fazë më komplekse. Në mes të këtyre zhvillimeve, Kosova paraqitet me tregues pozitivë, por mbetet nën potencialin e dëshmuar.

Sipas raportit parashikohet që rritja globale të bjerë në 2.6 për qind këtë vit, ndërsa rreziqet janë të mëdha: tensione tregtare në rritje, politikë e paqëndrueshme dhe tregje financiare që mund të tronditen lehtë.

Mbi mesataren rajonale, por nën potencial

Banka Botërore vlerëson se ekonomia jonë u rrit me 4.6 për qind në 2024, dhe tani parashikon 3.8 për qind për 2025-n dhe 2026-n. Për 2027-n presin një përmirësim të vogël në 3.9 për qind.

Norma reale e rritjes 2010-2024

Rrëshqitni horizontalisht për të parë vitet →

Edhe pse këto shifra e vendosin Kosovën në pozita më të favorshme krahasuar me fqinjët – Serbia (3.0 për qind), Mali i Zi (3.3 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (3.0 për qind) – ritmi mbetet nën trendin historik të periudhës para-pandemike.

I gjithë rajoni pritet të përfitojë nga injektimi i fondeve të BE-së përmes “Planit të Rritjes” (Reform and Growth Facility), që synon të zbusë efektet e ngadalësimit ekonomik europian.

Mesazhi kryesor i raportit për politikëbërësit në ekonomitë në zhvillim si ajo e Kosovës, përballë një realiteti me barriera tregtare, është se duhet të shtyhen përpara reformat që diversifikojnë tregtinë, forcojnë kornizat makroekonomike dhe heqin “bllokadat” strukturore që frenojnë produktivitetin dhe investimet.

Për Kosovën, bllokada më evidente është thellimi dramatik i deficitit tregtar, i cili minon qëndrueshmërinë afatgjatë.

Gjatë vitit 2025, balanca tregtare u rëndua ndjeshëm, me eksportet që arritën të mbulojnë vetëm 13.5 për qind të importeve. Për ta thjeshtuar: për çdo 100 euro mallra që hyjnë në vend, ekonomia jonë arrin të mbulojë vetëm rreth 13.50 euro përmes shitjeve jashtë.

Deficiti vjetor (Importet – Eksportet)
Viti Deficiti tregtar Importet totale Eksportet totale
2021 3,9 miliardë € 4,6 miliardë € 712,8 milionë €
2022 4,7 miliardë € 5,6 miliardë € 868,9 milionë €
2023 4,9 miliardë € 5,8 miliardë € 819,6 milionë €
2024 5,3 miliardë € 6,3 miliardë € 990,2 milionë €
2025 6,1 miliardë € 7,0 miliardë € 942,0 milionë €

Kjo shpërputhje ushqehet nga dy trende të kundërta. Ndërsa importet kanë ndjekur një rritje të pandalshme – nga 5.6 miliardë në 2022 duke kapur kulmin historik prej 7.0 miliardë eurosh në 2025 – eksportet kanë bërë hapa prapa.

Pas arritjes së nivelit 990.2 milionë në vitin 2024, ato ranë në 942 milionë euro në vitin 2025, duke çuar deficitin tregtar në një rekord të ri prej 6.1 miliardë eurosh. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit