19 C
New York
Sunday, September 21, 2025

Buy now

Banka Botërore e BQK me parashikime të ndryshme për rritjen ekonomike, ekspertët vlerësojnë se BPV-ja është e pamjaftueshme

- Advertisement -

Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore, thuhet në një raport të Bankës Botërore për Kosovën, ku projeksionet e kësaj banke tregojnë se në Kosovë pritet të ketë një normë të rritjes ekonomike vetëm 3.8 për qind për vitin aktual dhe 2026-ën. Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), parasheh që kjo normë të arrijë në 4.1 për qind në vitin 2025. Ndërsa, sipas BQK-së, 4.2 për qind pritet të rritet kjo normë në vitin 2026.

Këto vlera të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), sipas ekspertëve të ekonomisë nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe reduktimin e papunësisë në Kosovë. Madje, ata shprehen skeptik se do të arrihet rritja ekonomike prej 4.1 për qind këtë vit.

Siç thonë ata, masat sanksionuese të Bashkimit Evropian, pezullimi i dialogut strategjik m Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mungesa e qeverisjes efektive ndikojnë që kjo normë të mbetet e tillë, duke mos qenë e mjaftueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve në vendin tonë.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku në një prononcim për KosovaPress potencon se vlerësimet e BQK-së nuk janë optimiste, pasi norma aktuale e rritjes ekonomike konsiderohet e pamjaftueshme përballë sfidave që ka Kosova.

Ai përmend nivelin e ulët të eksporteve, mungesën e investimeve, sidomos atyre të huaja, si dhe projeksionet për inflacionin, të cilat, sipas tij, tregojnë shenja të një mbijetese ekonomike.

“Vlerësimet e BQK-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për fat të keq janë jo optimiste, sepse kjo normë e rritjes ekonomike në raport me problemet me të cilat përballet Kosova është e pamjaftuar. Duke pasur parasysh nivelin e ulët të eksportit, nivelin e ulët të mobilizimit të investimeve sidomos mungesën e investimeve të jashtme, e tërë kjo reflektohet në atë që Kosova me këtë normë, dhe duke pas parasysh projeksionet për inflacionin në vitin e ardhshëm, tregon shenjat e një mbijetese…Rritja ekonomike e Kosovës duhet të shndërrohet në zhvillim ekonomik…Këtë rritje ekonomike duhet ballafaquar me problemet që vijnë nga vendosja e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe sidomos ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-në, dhe të dy këto gjërat të shoqëruar me mungesën e qeverisjes efektive, këtë normë e bëjnë të pamjaftuar në ambiciet e Kosovës për tu bërë pjesë e BE-së dhe për të përmirësuar jetën e vet”, thotë Sadiku.

Po ashtu, edhe eksperti i ekonomisë, Lekë Musa thekson se shkalla aktuale e rritjes prej mbi 4 për qind nuk është e mjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe për të përmirësuar mirëqenien në Kosovë.

Sipas tij, për të arritur nivelet e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike prej së paku 8 për qind, për të ulur sado pak përqindje e papunësisë.

Siç thekson Musa në një prononcim për KosovaPress, për të arritur një normë më të lartë të rritjes ekonomike në Kosovë, qeveritë e ardhshme duhet të vendosin zhvillimin ekonomik si synimin kryesor.

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore thuhet se rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë në 3,8 për qind në vitet 2025 dhe 2026.

“Rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi dhe aktiviteti investues. Megjithatë, pasiguria ekonomike, veçanërisht në lidhje me politikën e tregtisë globale, është rritur muajt e fundit. Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore”, shkruan në këtë raport të Bankës Botërore.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk është bërë formimi i institucioneve të reja. Gjykata Kushtetuese, ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit deri më 30 shtator.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim, Banka Qendrore e Kosovës thotë se për vitin 2025 parashikohet rritje reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.1%, e cila mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti i shërbimeve.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) për vitin 2025 parashikon rritje reale të Bruto Produktit Vendor (BPV) prej 4.1%, e cila mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti i shërbimeve. Për vitin 2026, pritet që rritja të arrijë në 4.2%. Megjithatë, në muajin shtator pritet të publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të dhënat për tremujorin e dytë të vitit 2025, si dhe të dhënat vjetore për vitin 2024, të cilat do të ofrojnë një pasqyrë më të qartë mbi zhvillimet në ekonominë e Kosovës dhe do të mundësojnë një rishikim e këtyre projeksioneve”, thuhet në përgjigjen me shkrim te BQK-së për KosovaPress.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shprehet skeptik lidhur me parashikimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rritje ekonomike prej 4.1 për qind. Sipas tij, nëse vazhdon trendi aktual, kjo normë nuk do të arrihet, duke pasur parasysh se gjashtëmujori i parë është mbyllur me  3.6 për qind rritje.

Rafuna thekson se Kosova ka nevojë për një rritje prej të paktën 6–7 për qind, ndërsa ideale sipas tij do të ishte një rritje dyshifrore.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2023 ka qenë 4.1 për qind, në vitin 2024 kjo normë ishte 4.4, derisa parashikimi për vitin 2025 është 3.8 për qind.

Përndryshe, sipas raportit të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Ballkanin Perendimorë parashikohet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2025, përpara se të rikuperohet në 3.5 për qind në vitin 2026, mes pasigurive të shtuara. /KP

 

Të ngjashme

Të fundit