Mario Balotelli ka thënë fjalën e tij pasi u përfshi në një aksident me makinë në Brescia të enjten në mbrëmje, duke ndarë habinë dhe zhgënjimin e tij që u bë sërish titull i mediave.
Balotelli përplasi makinën Audi RS Q8 të tij në një mur mbrëmjen e së enjtes, duke u shpëtuar pa lëndime serioze, megjithëse ai refuzoi të jepte një test alkooli, gjë që çoi në konfiskimin e patentës së tij.
Të nesërmen, të premten mbrëma, Balotelli foli me Dillinger News, i drejtuar nga ‘famëkeqi’ Fabrizio Corona, për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve.
Sulmuesi i klubit turk, Adana Demirspor, ka thënë se nuk mund të besonte se këto lloj historish do të ishin ende me interes.
“Sapo përplasa makinën time, shkova në shtëpi me një makinë tjetër”, ka thënë fillimisht Balotelli.
“Mendova se krijimi i një zhurme të madhe për diçka të tillë kishte dalë nga moda. Unë mund të kuptoj nëse të tjerët ishin të përfshirë, ose nëse dikush u lëndua, por unë thjesht përplasa makinën dhe shkova në shtëpi”.
“Ka një miliard probleme dhe e vetmja gjë që shoh në gazeta është aksidenti im. Nuk do të kishte problem nëse nuk do të kisha sigurim gjithëpërfshirës, por fatmirësisht e kam pasur”.
“Në vend që të flasin për çështje të rëndësishme, ata flasin për këtë. E pabesueshme”, përfundoi sulmuesi italian.