15.5 C
New York
Monday, November 10, 2025

Buy now

Balotazhet: Kush mbajti qytetet e mëdha dhe kush i fitoi disa nga betejat më të forta

- Advertisement -

Prishtinë: Përparim Rama ruan kryeqytetin

Në Prishtinë, gara më e ndjekur këtyre zgjedhjeve përfundoi me fitore të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës , Përparim Rama, i cili siguroi 51.54 për qind të votave (46,333 vota), duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, që mori 48.46 për qind (43,572 vota).

Rama arriti ta mbajë Prishtinën pas një beteje të gjatë elektorale që nisi me një fitore me diferencë minimale në raundin e parë ndaj Çekut dhe u vulos në balotazh me një diferencë të ngushtë prej afro 3 për qind.

Prizren: Shaqir Totaj i PDK-së shënon fitore bindëse

Në Prizren, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike arriti të mbajë pushtetin me 53.86% të votave (25,326 vota), përballë Artan Abrashit të Lëvizjes Vetëvendosje, që mori 46.14% (21,699 vota).

Totaj arriti të sigurojë një mandat të dytë, duke ruajtur pushtetin e PDK-së në këtë qytet të madh.

Mitrovicë e Jugut: Vetëvendosje mund PDK-në

Në Mitrovicën e Jugut, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, doli fitues me 53.53 për qind të votave (17,542 vota), duke mposhtur kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, i cili mori 46.47 për qind (15,228 vota).

Partia Demokratike udhëheqi këtë komune me Bedri Hamzën e cili kishte mposhtur kandidatin e atëhershëm të VV-së, Agim Bahtiri.

Gjakovë: Gjini mban komunën me fitore bindës

Në Gjakovë, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka arritur ta ruajë pushtetin lokal me një fitore të bindshme ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ardian Gola.

Gjini siguroi 56.03% të votave (17,024 vota), ndërsa Gola mori 43.97% (13,362 vota).

Rahovec: Latifi i AAK-së mban pushtetin në garë me VV-në

Në Rahovec, një bastion i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajil Latifi ka siguruar fitore kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Dula.

Latifi mori 53.59% të votave (8,769 vota), ndërsa Dula arriti 46.41% (7,593 vota).

Kaçanik: PDK mban Kaçanikun

Kandidati i PDK-së, Sabedin Vishi, ish-nënrkyetari i komunës shënoi fitore solide me 51.86 për qind (7,548 vota), duke mundur Jeton Rakën e Vetëvendosjes me 48.14 për qind (7,006 vota).

Komuna e Kaçanikut vazhdon të mbetet bastion i Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale.

Obiliq: Fitore minimale e VV-së ndaj LDK-së

Në Obiliq, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi me 51.09 për qind (6,441 vota), përballë Xhafer Gashit të LDK-së që mori 48.91 për qind (6,167 vota).

Diferenca prej më pak se 300 votash e bën këtë njërën prej garave më të ngushta të këtij cikli zgjedhor.

Pas rezultatit, në një paraqitje para mbështetësve të tij, Gashi dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK.

Viti: LDK në epërsi

Në komunën e Vitit, Sokol Haliti nga LDK siguroi edhe një mandat tjetër me 50.60 për qind të votave (8,352 vota), përballë kandidatit të VV-së, Arsim Ademi, që mori 49.40 për qind (8,155 vota).

Vetëm 197 vota ndanë dy kandidatët, duke e bërë Vitinë shembullin klasik të garave që mund të ndryshonin me çdo kuti votimi.

Megjithatë, kujtojmë se në këtë komunë mbetet për t’u parë rezultati përfundimtar pasi numërimit edhe votave të diasporës.

Të ngjashme

Të fundit