Ballkani është përshëndetur nga garat europiane për këtë sezon.
Suharekasit nuk arritën të shkonin më shumë se raundi i tretë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Ishte skuadra irlandeze, Shamrock Rovers, pengesa që nuk mundi ta kalojë ish-kampioni i Kosovës.
Ballkani e nisi mirë, duke shënuar fitore 1:0 në Prishtinë në ndeshjen e parë, por dueli i kthimit ishte fatal për ta.
Në Irlandë, Shamrock Rovers shënoi fitore të thellë 4:0, duke e siguruar kualifikimin në play-off.
Gaffney me dy gola dhe Honohan e Burke me nga një ishin golashënuesit.
Kësisoj, Ballkani tani i rikthehet kampionatit të Kosovës që nis këtë fundjavë me synimin e qartë, titullin kampion të Kosovës.
Ndërkohë, Shamrock Rovers në play-offin e Ligës së Konferencës do të ketë punë me skuadrën Santa Clara të Portugalisë.