“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë Mustafa, për Reporteri.net.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kësaj letre.
Kjo është konfirmuar nga sekretarja e kësaj partie, Vlora Çitaku e cila në një konferencë për media ka thënë se në takim do të tregojnë edhe datën e tyre të preferuar.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve, sigurisht që i përgjigjemi ftesës. PDK që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani lidhet me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta. Ne do të marrim pjesë dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty.” – ka thënë ajo.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pranuar letrën e presidentes Osmani.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha se AAK nuk ka ndonjë arsye që mos të marrë pjesë në takim, megjithatë vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.
“Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre Presidentja konsultimet do t’i zhvillojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, është shprehur ai për Telegrafin.
Por, në cilat data mund të mbahen këto zgjedhje?
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se zgjedhjet e rregullta parlamentare në vend do të mbahen mes fundit të janarit dhe mesit të shkurtit 2025.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Cakolli ka thënë se datat për të cilat presidentja mund të diskutojë me partitë politike, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti.
“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për t’a caktuar ndonjërën prej këtyre datave.” – ka thënë ai