5.8 C
New York
Tuesday, April 8, 2025

Buy now

Balla kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

- Advertisement -

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë negociatat për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Ai foli në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Evropian, në Bruksel, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030-n.

Balla ka thënë se Kosova e meriton hapjen e negociatave, e edhe Maqedonia e Veriut.

“Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat,” deklaroi Balla, raportoi ATSH.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se Shqipëria e nisi këtë proces në vitin 2014, pas Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe tani i ka parakaluar fqinjët.

“Kam qenë njëri prej pjesëmarrësve që në fillim të këtij programi dhe mund t’ju them sot se sa i takon vendit tim, rruga jonë drejt BE-së është më tepër se një ambicie politike. Është një mision kombëtar dhe domosdoshmëri historike. Do të thotë të dalim nga hijet e së kaluarës dhe të ankorohemi në një të ardhme paqeje, lirie dhe të drejtash të barabarta. Ky është i vetmi plan që ne kemi, nuk e kemi një plan B, është i vetmi plan për të tashmen dhe për të ardhmen. Dhe ne jemi gati, ndoshta muajin tjetër pasi të fitojmë zgjedhjet e 11 majit, ambicia jonë mbetet e qartë dhe e pandryshuar: të përmbyllim negociatat teknike deri në Krishtlindjet e vitit 2027 dhe të bëhemi anëtarë të plotë brenda vitit 2030,” ka deklaruar Balla.

Ai u shpreh se Shqipëria është vendi më proamerikan në Evropë, duke shtuar se fitorja e Donald Trumpit mund  të shihet “si një mundësi e madhe për Evropën”.

“Sa i përket pyetjes për zotin Trump, si president i Shteteve të Bashkuara. Në Shqipëri, nëse shqiptarët pyeten për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, më shumë se 90% janë pro. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në Evropë, përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së, që ka një përqindje kaq të lartë të mbështetjes për anëtarësimin në BE. Por gjithashtu jemi me fat, sepse jemi vendi më proamerikan në Evropë. Kështu që, sipas mendimit tim, këto të dyja lidhen me njëra-tjetrën. Dhe fitorja e zotit Trump si president i SHBA mund të shihet gjithashtu si një mundësi e madhe për Evropën – fillimisht që të mendojë për bashkëpunim më të fortë”, tha Balla, teksa iu përgjigj eurodeputetit kroat, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit