Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se mbi 148 mijë punëtorëve mund t’u rrezikohet vendi i punës me vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Duke u lidhur direkt në Rubikon ajo tha se partia që ajo përfaqëson dhe deputetët e saj po synojnë të mbrojnë interesin e qytetarëve.
“Përqeshja që i ka bërë qeveria kërkesës së deputetëve tonë, duke thënë se në fakt ajo për të cilën lobojmë ne janë 1% e kompanive në Kosovë, që janë korporata, nuk është e vërtetë. Ne jemi duke bërë përpjekje që të evitohet edhe një valë e re e inflacionit e cila do t’i godasë qytetarët e vendit, të cilët edhe ashtu kanë pasur një rritje alarmante të çmimeve në këto katër vitet e fundit. Përmes mbrojtjes të kësaj kauze në mënyrë që të preventojmë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, ne mbrojmë qytetarët e vendit. Ne nuk e kemi problem fare të themi se jemi në mbrojtje të bizneseve”, u shpreh mes tjerash deputetja Bajrami.
Ish-ministrja e Financave tha se 1300 bizneset e mëdha në vend përbëjnë rreth 50% të vendeve të punës në Kosovës, pra sipas saj, janë rreth 148 mijë të punësuar që punojnë në këto 1300 biznese.
“Duke qenë në mbrojtje të biznesit, ne jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës sepse në fund të fundit, rritja e kostove të biznesit do të reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Por është edhe një çështje tjetër. Unë kam marr disa informata që këto 1300 bizneseve përbëjnë rreth 50% të vendeve të punës në Kosovës, janë rreth 148 mijë të punësuar që punojnë në këto 1300 biznese. Nuk është informatë e verifikuar, por bëhet fjalë për 1300 kompanitë më të mëdha në Kosovë. Këto 1300 biznese përbëjnë gjysmën e punësimit në Kosovë. Duke mbrojtur interesin e tyre, ne mbrojmë interesin e këtyre 148 mijë familjeve në Kosovë”, deklaroi Bajrami.