Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati kanë se në bazë të statistikave të Administratës Tatimore të Kosovës, ekonomia e vendit për herë të parë ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës. Madje, sipas Kurtit e Muratit kjo është dëshmia më e mirë që politikat e punësimit të qeverisë aktuale po funksionojnë.
Por, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Këto deklarata të Kurtit e Muratit, Bajrami i cilëson si “manipulim me shifra”.
“Manipulatorë të shifrave, a të flasim me trende, sepse e vërteta është ndryshe nga propaganda: Me politikat e juaja të punësimit, kompanitë private po i humbin jo vetëm punëtorët por edhe konsumatorët. Publikoni shifrat, sa qytetarë kanë ikur nga Kosova prej që ju keni marrë të gjitha nivelet e pushtetit”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”
Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar edhe shifrat e punësimit që nga vitit 2019, ndërsa ka pyetur pushtetarët se “me çka po lavdërohen?”.
“Sipas ATK-së trendet e punësimit janë këto: Dhjetor 2019: 331 811 të punësuar, Dhjetor 2020: 356 909 të punësuar, d.m.th. 25 098 më shumë se në vitin paraprak. Dhjetor 2021: 378 385 të punësuar, d.m.th. 21 476 më shumë se vitin paraprak, ndërsa në korrik 2023 qenkan 404 965 të punësuar, d.m.th. 26 580 më shumë se një vit e gjysmë më parë. Me çka po lavdëroheni?”, ka shkruar Bajrami.
Madje, sipas Bajramit trendi i krijimit të vendeve të reja të punës është në rënie.
“Derisa nga 21-26 mijë vende të reja të punës më herët janë krijuar për një vit, tani për një vit e gjysëm paskemi 26 580 vende të reja të punës më shumë. Trendi është rënës. Kosova vazhdon të jetë nën sakskione, si rezultat i politikave të qeverisë Kurti”, ka përfunduar Bajrami.