Përmes një postimi në Facebook, Bajrami e ka akuzuar Mujën për shpifje dhe përfshirje në një rast të mëparshëm të ryshfetit lidhur me akreditimin e kolegjeve private.
“Ky shpifësi tjetër, Armend Muja, ka qenë i akuzuar për ryshfet për akreditim të kolegjeve private. I njëjti nuk është shpallur kurrë i pafajshëm, por lënda i është vjetruar, mandej është bërë deputet i LVV. Ky pra është ai që shpif dhe më akuzon mua. Dërgoni lëndët në Prokurori, se unë kurrë s’kam qenë e akuzuar, as kurrë nën hetime,” ka shkruar Bajrami në reagimin e saj.
Reagimi i Bajramit erdhi pas konferencës për media të deputetit Armend Muja, ku ai prezantoi të dhënat lidhur me kontratat njëburimore për tenderët.
Muja përmendi edhe periudhën kur Bajrami ishte ministre, duke theksuar se në vitet 2008 dhe 2015 kishte numër rekord të këtyre kontratave.
Sipas Mujës, numri i kontratave me procedurë të negociuar në mandatin e Qeverisë Kurti është përgjysmuar, kur krahasohet me qeverisjet e kaluara.”
Ai argumentoi se të dhënat nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) tregojnë për një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim nën qeverisjen aktuale.
Ky përplasje publike mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së vjen në një kohë kur debati për procedurat e prokurimit publik dhe transparencën vazhdon të jetë një temë e nxehtë në diskursin politik në Kosovë.